Milot Rashica kritikohet ashpër nga ish-futbollisti i Besiktasit

Fitorja minimale e Besiktasit ndaj Kayserisporit nuk e ka bindur ish-futbollistin e njohur turk, Nihat Kahveci, i cili ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij për paraqitjen e skuadrës bardhezi, pavarësisht tri pikëve të fituara. Besiktasi të hënën triumfoi 1:0 ndaj Kayserisporit, falë golit të shënuar nga El Bilal Toure në minutën e 95-të të ndeshjes. Megjithatë, sipas Kahvecit, loja e zhvilluar nga ekipi nuk ishte në nivelin e duhur dhe shfaqi shumë mangësi, veçanërisht në repartin ofensiv. Ish-sulmuesi i kombëtares turke dhe i Besiktasit ndali vëmendjen edhe te sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica, për të cilin pati kritika të drejtpërdrejta. Kahveci e krahasoi paraqitjen e Rashicës me periudhën kur Ricardo Quaresma ishte pjesë e Besiktasit, duke lënë të kuptohet se ndikimi i tij në lojë nuk po është ai që pritej. “Duke e parë Rashicën sot, disa mund të thonë se Quaresma duhet të kthehet në futboll. Rashica mund të jetë i dobishëm si lojtar mbështetës në një ekip të fortë, por nëse i jepet rol udhëheqës, ai nuk arrin të japë maksimumin. Është e pamundur të kuptohet pse trajneri Sergen Yalçin e mbajti Rashicën në lojë deri në minutën e 71-të, kur ai nuk po paraqitej mirë”, ka thënë Kahveci. Milot Rashica, 29 vjeç, ka regjistruar dy gola dhe tri asistime në të gjitha garat me fanellën e Besiktasit. Pavarësisht kritikave, ai mbetet një nga lojtarët më të përfolur në skuadër. /Telegrafi/