Zelensky kërkon ushtri evropiane prej 3 milionë ushtarësh

Ukraina ka propozuar që Evropa të krijojë një Forcë të Përbashkët të Armatosur prej rreth 3 milionë ushtarësh, me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive ndaj kërcënimit nga Rusia. Kjo ide vjen në një kohë kur siguria evropiane po përballet me sfida serioze, si pasojë e luftës në Ukrainë, tensioneve në rritje në lindje të kontinentit dhe pasigurive mbi angazhimin afatgjatë të aleatëve ndërkombëtarë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi se, megjithëse kjo ide është hedhur në tryezë prej më shumë se një viti, nuk ka pasur hapa konkretë drejt realizimit të saj. “Ka kaluar një vit. Ta them sinqerisht, asnjë hap i vetëm nuk është ndërmarrë drejt kësaj ideje. Ndoshta tani, duke pasur parasysh të gjitha këto sfida, udhëheqësit evropianë do ta marrin seriozisht në shqyrtim”, u shpreh ai. Sipas Zelenskyt, krijimi i një ushtrie të përbashkët evropiane nuk do të synonte të zëvendësonte NATO-n apo të konkurronte me Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, ai e sheh këtë forcë si një shtyllë shtesë të sigurisë evropiane, që do t’i jepte kontinentit më shumë autonomi strategjike dhe aftësi për të reaguar shpejt ndaj krizave. “Evropa thjesht do të kishte ushtrinë e saj të veçantë dhe të fortë”, theksoi lideri ukrainas. Propozimi ka hapur debate brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, pasi përfshin çështje të ndërlikuara si financimi, komandimi i përbashkët, sovraniteti i shteteve anëtare dhe koordinimi me strukturat ekzistuese të sigurisë. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka bërë që gjithnjë e më shumë liderë evropianë të diskutojnë nevojën për një rol më aktiv të Evropës në garantimin e sigurisë së saj, pa u mbështetur plotësisht te aleatët e jashtëm. /Telegrafi/ — (@)