Drejtoria e Doganave informon se janë zbuluar disa tentativa për kontrabandë të mallrave të ndryshme dhe disa tentativa për trafik të shumave të mëdha të parave. Mes tjerash, tek dy shtetas grekë, të cilët u paraqitën për dalje nga vendi në pikën kufitare “Tabanoc”, u gjetën 13.900 euro të pa deklaruara, tre monedha ari dhe një pllakë ari rreth 90 gramë. “Gjatë kontrollit personal të personave, tek xhepi i xhaketës së shoferit u gjetën 23.900 euro, ndërsa në portofolin e tij dhe në xhepin e përparëm të pantallonave të tij u gjetën tre monedha ari, secila me peshë rreth 8 gramë, dhe një pllakë ari me peshë rreth 90 gramë. Sipas ligjeve në fuqi, pasagjerit iu kthyen 10.000 euro, shuma që një rezident mund ta nxjerrë lirshëm nga vendi, ndërsa 13.900 euro, monedhat e arit dhe pllakën e arit u sekuestruan përkohësisht”, njofton Drejtoria e Doganave. Doganat gjithashtu njoftojnë se gjatë kontrollit të një automjeti, i cili u paraqit për hyrje në vend në pikën kufitare “Qafë Thanë”, tek pasagjeri u gjetën 20.000 euro të pa deklaruara. Sipas Ligjit për veprimtarinë valutore, personit iu kthyen 10.000 euro, ndërsa pjesa tjetër prej 10.000 euro u sekuestrua përkohësisht. Në dalje nga vendi në pikën kufitare “Bogorodicë”, tek katër pasagjerë u gjetën gjithsej 20.000 euro, secili me nga 5.000 euro, shuma që duhet të deklarohet dhe për të cilën nevojitet certifikatë nga banka ose këmbimore e autorizuar gjatë daljes nga vendi.