Kosova është sërish në një garë me kohën. Rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë në të gjitha vendvotimet, siç pritet, do të zgjasë dy javë, çka do ta shtyjë formimin e parlamentit të ri për në muajin e ardhshëm. Kjo e vonon miratimin e buxhetit për vitin 2026, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, 4 marsi, është shumë afër. Këto janë vetëm disa nga “dhimbjet e kokës” si pasojë e manipulimeve të dukshme gjatë numërimit të votave. Si erdhi deri te to dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi, janë pyetje që presin përgjigje nga drejtësia.