Fondacioni Behgjet Pacolli shpërndan pako ushqimore për familjet në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit

Fondacioni Behgjet Pacolli ka nisur aksionin humanitar të shpërndarjes së pakove ushqimore për familjet në nevojë në prag dhe gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Ky aktivitet tradicional synon të mbështesë familjet me gjendje të rënduar ekonomike, duke u siguruar atyre produkte bazë ushqimore për përballimin e kësaj periudhe. Sipas njoftimit zyrtar, qindra familje në komuna të ndryshme të vendit kanë përfituar nga ky aksion solidariteti. Pakot përmbajnë artikuj esencialë si miell, vaj, oriz, makarona, sheqer, kripë, mish, produkte të konservuara dhe produkte të tjera të domosdoshme për tryezën e iftarit Drejtoresha e fondacionit, Fjolla Ramadani, theksoi se muaji i Ramazanit është një periudhë reflektimi, solidariteti dhe përkujdesjeje ndaj atyre që kanë më pak. Ajo u shpreh se fondacioni mbetet i përkushtuar që përmes aktiviteteve konkrete të qëndrojë pranë familjeve në nevojë, jo vetëm gjatë festave fetare, por gjatë gjithë vitit. “Qëllimi ynë është që asnjë familje të mos ndihet e harruar në këtë muaj të shenjtë. Solidariteti dhe ndihma reciproke janë vlera që duhet t’i kultivojmë vazhdimisht si shoqëri,” theksoi Ramadani. Fondacioni shpreh falënderim për rrjetin e marketeve Interex për bashkëpunimin korrekt gjatë realizimit të këtij aksioni. Njëkohësisht, fondacioni falënderon donatorët e tij të përhershëm: Isdiar L.L.C, Bankën Ekonomike, Siguria, B&A Contractors, Swiss Diamond Hotel dhe Mtchenoloogie, të cilët me mbështetjen e tyre të vazhdueshme bëjnë të mundur realizimin e aktiviteteve humanitare. Përfituesit e pakove ushqimore kanë falënderuar fondacionin për mbështetjen, duke theksuar se ndihma e ofruar lehtëson ndjeshëm barrën financiare gjatë kësaj periudhe. Fondacioni ka paralajmëruar se aktivitetet humanitare do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me fokus të veçantë në familjet me kushte të vështira ekonomike, personat e moshuar dhe kategoritë e tjera të ndjeshme të shoqërisë. Ky aksion është pjesë e misionit afatgjatë të fondacionit për të kontribuar në mirëqenien sociale dhe për të promovuar frymën e solidaritetit në vend.