Xhudistja Distria Krasniqi është shpallur Sportistja e Vitit, ndërsa xhudisti Akil Gjakova ka fituar çmimin Sportisti i Vitit në ceremoninë “Laureatët 2025”, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Çmimi për Krasniqin u dorëzua nga kryeministri Albin Kurti, presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, drejtori i përgjithshëm i BKT Suat Bakkall, si dhe legjenda e xhudos Majlinda Kelmendi. Ndërkohë, çmimi për Akil Gjakovën u dorëzua nga nënpresidenti i parë i KOK-ut Milaim Kelmendi, në shoqërim të sekretarit të përgjithshëm të ICMG Iakovos Filippuzis dhe kryetarit të nderit të KOK-ut Besim Hasani. Kryeministri Albin Kurti, duke uruar fituesit, theksoi se përkrahja për sportin do të vazhdojë. “Çdo medalje është dëshmi e talentit dhe e punës. Urime secilit laureat e laureate të vitit që e lamë pas. Sukseset tuaja mos u ndalshin! Mbështetja për sportin do të vazhdojë”, ka deklaruar ai. Çmimi “Trajneri i Vitit” i takoi mjeshtrit të xhudos kosovare Driton Kuka për sukseset e vazhdueshme me ekipin kombëtar. Në këtë mbrëmje, KOK nderoi me çmim edhe xhudisten Nora Gjakova, e cila i dha fund karrierës në vitin 2025./ Telegrafi