FFM: Pështyrja u pa qartë nga gjyqtari dhe u konfirmua nga VAR-i

Pas ndeshjes derbi mes Vardari dhe Bashkimi, ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Maqedonisë, duke sqaruar situatën rreth kartonit të kuq dhe incidenteve të ndodhura në minutat e fundit të takimit, njofton Telegrafi. Sipas njoftimit zyrtar, në minutën e 87-të është akorduar karton i kuq direkt për lojtarin me numër 3 të Bashkimit, për shkak të pështyrjes në drejtim të gjyqtarit kryesor. Federata thekson se arbitri ndodhej rreth një metër larg incidentit, e ka parë qartë veprimin dhe pa hezitim ka marrë vendimin për përjashtim të drejtpërdrejtë. Ky veprim, i cilësuar si jashtëzakonisht josportiv, është konfirmuar edhe nga gjyqtarët e VAR-it, në bazë të provave të qarta video. Më tej, në reagim thuhet se një zyrtar i përjashtuar më herët nga stafi i Bashkimit ka hyrë në mënyrë të palejuar në fushën e lojës, duke provokuar dhe nisur një konfrontim me futbollistin e Vardarit, Boban Nikollov. Sipas FFM-së, ky veprim konsiderohet i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh se personi në fjalë ishte përjashtuar që në pjesën e parë dhe nuk kishte të drejtë të hynte në fushë. Federata sqaron se përplasja dhe masat disiplinore që pasuan erdhën si rezultat i drejtpërdrejtë i pështyrjes ndaj gjyqtarit dhe hyrjes së palejuar në fushë. Në këtë kuadër, lojtari i Vardarit është ndëshkuar me karton të verdhë. Po ashtu, për hir të transparencës, FFM-ja njofton se përfaqësues të Bashkimit mund të vizitojnë në çdo kohë qendrën e VAR-it për të shqyrtuar materialin video dhe për të dëgjuar komunikimin mes gjyqtarëve dhe lojtarit të përjashtuar. Në fund, Federata sqaron edhe çështjen e kohës shtesë, duke theksuar se ndeshja është vazhduar për 10 minuta për shkak të ndërprerjeve, ndërsa shfaqja e +18 minutave në ekranet televizive ka qenë një gabim teknik i produksionit. /Telegrafi/