Pas bllokimit të plotë të aksit kryesor të juglindjes së vendit si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe çarjes së thellë në trupin e rrugës, autoritetet hapën si zgjidhje të përkohshme aksin Maliq–Moglicë–Gramsh. Por situata paraqitet shqetësuese edhe në këtë segment. Në rrugën Moglicë–Gramsh janë evidentuar rrëshqitje gurësh dhe dherash, duke rrezikuar seriozisht mjetet që qarkullojnë nga Korça në drejtim të Gramshit. Drejtuesit e automjeteve raportojnë vështirësi në kalim. Nëse situata vijon të përkeqësohet, ekziston rreziku real që juglindja e vendit të mbetet e izoluar plotësisht. Autoriteti Rrugor njoftoi ditën e sotme se po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor./Vizion+