“ASH është subjekt politik i krijuar për shqiptarët, jo për ndarjen dhe përfitimin e pozitave e privilegjeve pa kushte.” Kështu u shpreh në intervistën “1+1” nënkryetari i ASH-së, së Ziadin Selës, Remzi Mehmedi, i pyetur nëse ky subjekt, tashmë i larguar nga AKI, ka fuqi të qëndrojë gjatë në opozitë apo është i gatshëm të bëhet pjesë e Qeverisë. Sipas tij, opozita apo pushteti nuk janë çështje ambicieje personale, por varen nga rrethanat politike dhe vullneti i elektoratit. Deri më tani nuk u është ofruar asnjë ofertë konkrete, megjithatë subjekti politik i Ziadin Selës mbetet i gatshëm të shqyrtojë seriozisht çdo ofertë për pjesëmarrje. “Unë mund të themë se në qoftë se do të kemi një ofertë konkrete dhe në bazë të kësaj, sepse duhet të jem korekt, me juve dhe me opinionin që po na ndjek, një ofertë konkrete për ta shtruar në tavolinë që ne ta kemi objekt diskutimi dhe mbi atë të vendosim se çfarë bëjmë, deri në këto momente nuk kemi, ndërsa me dinamikën e zhvillimeve këtu gjithçka është e mundur, duke filluar nga zgjedhjet e shpejta dhe të parakohëshme siç duket çdo ditë që ka tensione midis partnerëve të vetë koalicionit. Nëse i referoheni koalicionit ‘VLEN’ ata janë në proces të koonsolidimit ose shkrirjes së një parti të vetme, nuk është vetëm ai problem, shohim edhe probleme më të theksuara se aq”, u shpreh nënkryetari i ASH-së, Remzi Mehmedi. Edhe në rast se ASH-së do t’i ofrohej një ftesë për pjesëmarrje në Qeveri, shton Mehmedi, prioritet nuk do të ishte marrja e pushtetit si qëllim në vetvete, por përmbajtja e ofertës dhe garancitë konkrete për ndryshime reale në dobi të qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve. Pa pasur garanci të qarta për zhbllokimin e integrimit evropian, për barazi të plotë institucionale dhe për mekanizma që mbrojnë vullnetin politik të shqiptarëve, çdo ofertë për pushtet do të kërkonte analizë të thelluar dhe vendimmarrje mbi bazë parimesh nga ASH-ja. “Sigurisht është se debllokimi i rrugës integruese për në BE-n, përfaqësimi i drejt dhe adekuat i shqiptarëve në institucione, çështja që Gjykata Kushtetuese vendimet t’i merr me Badenter në të ardhmen, si dhe çështje të tjera të cilat seriozisht i stabilizojnë funksionimin politik të këtij shteti”, deklaroi Mehmedi. Kjo pranverë për ASH-në do të jetë sezon riorganizimi dhe rikthimi politik, me ambicie për t’u pozicionuar si faktor kyç në skenën politike. Në pranverë pritet të mbahet kongresi i rregullt, ku ASH-ja do të zgjedhë kryesinë e re, në një moment që shihet si pikë kthese për subjektin.