Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se që nga orët e vona të mbrëmjes së kaluar është duke u zhvilluar një operacion kërkim-shpëtimi në majën e Hajlës, përgjatë kreshtës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas informatave fillestare nga terreni, një bjeshkatar me inicialet C.F dyshohet se ka rrëshqitur nga kreshta dhe ka humbur kontaktin me pjesëtarët e tjerë të grupit. Operacioni po realizohet në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi dhe autoritetet kompetente të këtij shteti, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit nga të dyja palët janë të angazhuara në mënyrë të koordinuar për lokalizimin dhe ofrimin e ndihmës ndaj personit të raportuar. Kushtet e pafavorshme atmosferike, me reshje bore dhe dukshmëri të kufizuar, po e vështirësojnë zhvillimin e operacionit në terren. Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës është bërë e ditur se publiku do të informohet në vazhdimësi për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast. / Telegrafi /