Prodhuesi i pajisjeve luksoze Caviar është rikthyer me një iPhone të personalizuar, të shtrenjtë dhe tashmë janë zbuluar disa informacione rreth tij. Prodhuesi i pajisjeve me porosi me bazë në Dubai ka personalizuar këtë herë një iPhone Air, dizajni i të cilit është frymëzuar nga gjuha zbukuruese e Art Nouveau dhe arti dekorativ i Alphonse Mucha, transmeton Telegrafi. Ky Apple iPhone Air i personalizuar nga Caviar përmban një panel të pasmë me lëkurë viçi premium në një ton neutral, zbukurime prej margaritari dhe elementë dekorativë prej ari 24k, të gjitha të plotësuara me gdhendje të hollë dhe detaje të përfunduara me dorë. Caviar tha se çdo element në këtë iPhone Air të personalizuar - me ruajtje prej 1TB - është montuar me dorë për të siguruar saktësi dhe individualitet në çdo detaj. Për më tepër, marka ka prodhuar vetëm një copë të këtij iPhone Air, i cili kushton 11,213 dollarë (9510 euro). /Telegrafi/