Futbollistët e Shkëndijës nga Tetova morn fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Sileksit (1-2), në kuadër të javës së 19-të të Ligës së Parë. Në terrenin e vështirë të stadiumit të qytetit në Kratovë, kampionët treguan karakter dhe morën tre pikë të arta, duke u ngjitur në pozitën e dytë në tabelë, njofton Telegrafi. Ndeshja nisi e baraspeshuar, me të dyja skuadrat që vepruan me kujdes dhe pa shumë rrezik në 15 minutat e para. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 17-të, kur Fabrice Tamba kaloi Shkëndijën në epërsi (0-1). Në fundin e pjesës së parë, vendasit tentuan të reagojnë, por pa konkretizim. Në anën tjetër, Shkëndija pati disa raste të mira për ta dyfishuar epërsinë. Alhassan goditi traversën me volej, ndërsa më pas Tamba provoi sërish, por portieri kundërshtar reagoi në kohë. Edhe Ajeti tentoi nga këndi, por nuk ishte i saktë. Dënimi për rastet e humbura erdhi në minutën e 45-të, kur Buturoviqi barazoi rezultatin në 1-1. Pjesa e dytë solli sërish lojë të baraspeshuar dhe jo shumë tempo. Raste sporadike pati në të dyja anët, ndërsa ndryshimet nga bankina synonin freskinë dhe golin e fitores. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim, në skenë doli Arbin Zejnullai. Në minutën e 89-të ai goditi bukur me volej, topi u përplas në tokë dhe përfundoi në rrjetë për 1-2, për festën e kuqezinjve. Me këtë triumf, Shkëndija shkon në kuotën e 45 pikëve dhe renditet e dyta, gjashtë pikë pas Vardarit dhe tri më shumë se Struga. Një fitore që jo vetëm mban gjallë garën për kreun, por dëshmon edhe forcën e karakterit të skuadrës tetovare në ndeshje të vështira. /Telegrafi/ Standings provided by Sofascore