Kosova në Bordin e Paqes, analistët: Garanci e re sigurie dhe afrim strategjik me SHBA-në

Analistët politikë kanë vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi strategjike për vendin, duke theksuar se kjo rrit qasjen e drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë, forcon garancitë e sigurisë dhe hap mundësi të reja për lobim ndërkombëtar dhe afrimin drejt anëtarësimit në NATO. Sipas tyre, fakti që Kosova është ndër anëtaret themeluese të këtij mekanizmi dhe që konsiderohet partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një sinjal të fortë politik, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Analisti politik Afrim Kasolli ka theksuar se, pavarësisht peshës reale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, është e rëndësishme që vendi të jetë në të njëjtën linjë me SHBA-në dhe të konsiderohet partner në aranzhime globale. Sipas tij, ndonëse Kosova nuk ka kapacitete të jashtëzakonshme, ajo duhet të japë kontributin e saj modest – ushtarak, financiar dhe në misione paqeje – përfshirë misionin që po përgatitet të instalohet në Rripin e Gazës. “Ne e dimë realisht peshën reale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk është që shteti i Kosovës ka kapacitete të jashtëzakonshme të jetë kontribuese e këtyre aranzhimeve globale, mirëpo është e rëndësishme, do të thotë, që vendi ynë është në të njëjtën linjë dhe është në të njëjtat binarë dhe konsiderohet si një partner nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dhënë kontributin e tij modest, për aq sa ka mundësi, qoftë në aspektin ushtarak, financiar e të tjera e të tjera, do të thotë, në paqen, në misionin e paqes në vatra të ndryshme, me theks të veçantë atë që po përgatitet të instalohet në Rripin e Gazës”, tha ai. Kasolli ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga SHBA-ja, duke nënvizuar se interesi shtetëror i Kosovës është të jetë në të njëjtën linjë me Uashingtonin dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë. “Pra, do të thotë, është e rëndësishme, dhe jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, bota shqiptare, janë dy prej vendeve, janë dy shtete shqiptare, janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo nuk është pak, pavarësisht dilemave juridike e ndërkombëtare që mund të ketë kjo iniciativë. Mirëpo interesi shtetëror i Kosovës është që të jetë në të njëjtën linjë dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë dhe në instanca të tjera të politikbërjes së superfuqisë së vetme planetare, për shkak se historia e shtetndërtimit të Kosovës nuk mund të paramendohet pa kontributin e jashtëzakonshëm të atij vendi”, tha ai. Ai ka shtuar se krijimi i këtij aksesi të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës përbën një garanci shtesë sigurie, pasi në raste tensionesh të ardhshme i kujtohet edhe Serbisë se Kosova ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar ndihmë, gjë që, sipas tij, do ta bënte Beogradin të mirëkalkulojë përfshirjen në aventura të tilla, raporton Ekonomia Online. “Fakti që tashmë Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, përfaqësuesve të saj, i krijohet një akses i drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë nuk është pak. Pra, sepse eventualisht, do të thotë, në tensione të ardhshme i përkujtohet edhe Serbisë që i përkujtohet edhe Serbisë që ky vend, do të thotë, ka mundësi që drejtpërdrejt të intervenojë në Shtëpinë e Bardhë, të telefonojë, të kërkojë ndihmë, gjë që do ta bënte Serbinë disa herë të mirëmendohet, të mirëkalkulojë a vlen të përfshihet në aventura të tilla. Pra, fakti që Kosovës i krijohet kjo mundësi e jashtëzakonshme është një garanci tjetër shtesë sa i përket sigurisë së saj, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Prandaj, pavarësisht interpretimeve cinike që mund të jenë, që ky bord e kjo iniciativë mund të shihen me dyshim në aspektin ndërkombëtar, unë insistoj që kjo është interes strategjik i Kosovës dhe Kosova nuk e ka luksin, do të thotë, të ketë dilema aty ku ka ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket nevojës së ruajtjes dhe të konsolidimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve”, tha ai. Analistja politike Afërdita Maliqi ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor pjesë e këtij bordi, gjë që tregon se Kosova vazhdon të jetë në agjendën amerikane. “Unë mendoj që kjo është një nga gjërat më të mira që i kanë ndodhur Kosovës viteve të fundit, për shkak se ne vazhdimisht kemi folur për një diplomaci neglizhente të Kosovës dhe ftesa e Presidentit Trump që Kosova të jetë edhe themeluese edhe anëtare e Bordit të Paqes, ishte një nga lajmet më të mira që ne kemi marrë domethënë si Kosovë. Duke pasur parasysh se Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor që janë pjesë e këtij bordi, edhe kjo ka rëndësi të veçantë se na tregon edhe njëherë që Kosova vazhdon të jetë në agjendën amerikane dhe vazhdon të jetë në agjendën e Presidentit Trump”, tha ajo. Maliqi ka nënvizuar se përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse përbën lajm jashtëzakonisht të mirë, pasi, sipas saj, kjo e afron vendin me anëtarësimin në NATO dhe e vendos në një rang me shtete që janë pjesë e Aleancës ose kanë aleanca me të. Ajo ka shtuar se prania e shteteve që nuk e njohin Kosovën në Bord krijon mundësi për lobim dhe sigurim të njohjeve të reja. “Po ashtu, për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e misioneve paqeruajtëse, kjo përbën një lajm jashtëzakonisht të mirë edhe për FSK-në edhe për ne si Kosovë, sepse kjo do të thotë që ne jemi shumë afër anëtarësimit në NATO kur jemi në një rang me shtete të cilat janë superfuqi botërore, të cilat janë pjesë e NATO-s dhe kanë aleanca me NATO-n. Pastaj, shto këtu se në Bordin e Paqes ka edhe shtete anëtare që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë që, pavarësisht kësaj, ne si Kosovë mund ta shfrytëzojmë këtë bord paqeje për me lobu, për me siguru njohje të reja. Pra, është në njëfarë forme që Kosova në të gjitha mënyrat ka mundësi përfitimi. Presidenti Trump disa herë ka përmendur edhe Kosovën edhe Serbinë. Nëse ju kujtohet, ka thënë se i kam ndalur luftërat. Përmendi edhe luftën në Kosovë dhe edhe dje në fjalimin e tij ai e përmendi çështjen e Kosovës dhe Serbisë dhe në një moment tha që “nëse keni probleme ndërmjet vete, ju lutem ma bëni një telefonatë”. Kjo ishte një sinjal i madh për ne si Kosovë dhe për ne si shtet, për sigurinë tonë, që pavarësisht çfarëdo që bën Serbia ose çfarëdo që ka në plan Serbia të bëjë ndaj nesh, ne e kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë gjithmonë aty për ne. Domethënë, me vetë faktin që e tha troç, iu drejtua Presidentes Osmani që nëse ju keni ndonjëherë probleme, atëherë vetëm një telefonatë. Kjo tregon që Kosova është gjithmonë në agjendën mbështetëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ajo. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendet aleate kanë kontribuuar me 7 miliardë dollarë për ta ndihmuar Gazën, ndërsa Kosova është zotuar për të ndihmuar me trupa ushtarake përmes Bordit të Paqes. Duke folur në takimin e parë të Bordit të Paqes të enjten në Uashington, Trump tha pesë vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, janë zotuar se do të dërgojnë trupa në forcën ndërkombëtare të sigurisë në Gazë. Trump gjithashtu njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë. Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Kosova është ndër anëtaret themeluese. Bordi i Paqes, me 27 anëtarë, u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump. Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij të enjen Trump tha gjithashtu se kishte ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, e vlerësoi presidenten Osmani, dhe tha se këto dy vende duhet ta telefonojnë nëse nuk kalojnë mirë, ndërsa Osmani iu përgjigj: “Do t’ju telefonojmë”. Në një postim të shkurtër në Facebook të enjten natën, Osmani e falënderoi Trumpin, duke thënë se “Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane”.