Po 'luanin me vdekjen', momenti kur minibusi fundoset në akullin e liqenit më të thellë në botë – nga ku humbën jetën shtatë persona

Shtatë persona humbën jetën pasi një minibus turistik u fundos brenda akullit të një liqeni të ngrirë në Rusi. Autobusi turistik që mbante tetë turistë kinezë u zhyt në ujin e ngrirë në Liqenin Baikal, liqenin më të thellë në botë, në Siberi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. Dhe pamjet e publikuara thuhet se tregojnë momentet pas përplasjes, ndërsa i mbijetuari i vetëm përpiqet të dalë nga automjeti i zhytur. Një grup turistësh e panë me tmerr, por nuk mundën t'i ndihmonin pasagjerët e goditur. Njerëzit u dëgjuan duke bërtitur 'më shpejt, nxito' dhe 'dil jashtë' ndërsa përpiqeshin të ndihmonin viktimat. Një burrë u pa duke vrapuar drejt minibusit me një litar në përpjekje për të organizuar një shpëtim. Një vajzë 12-vjeçare ishte midis viktimave që vdiqën në aksident, së bashku me të dy prindërit e saj. Gjithashtu, edhe tre gra të moshës 28 vjeç vdiqën në aksident së bashku me dy të tjera të moshës 31 dhe 40 vjeç. Pamjet gjithashtu treguan zhytës që nxirrnin trupa nga thellësitë rreth 20 metra. Liqeni Baikal është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që ndodhet pranë kufirit me Mongolinë. Ai është një destinacion popullor për turistët kinezë për të bërë patinazh, ecje dhe ski në liqenin gjigant të ngrirë gjatë dimrit. Liqeni gjigant arrin thellësi prej më shumë se 5,000 metrash dhe është rreth një e katërta e madhësisë së Anglisë. Shoferi i minibusit është akuzuar për përdorimin e një 'rruge akulli' në sipërfaqen e liqenit që ishte mbyllur dhe për injorimin e paralajmërimeve për rrezik akut për shkak të çarjeve të akullit. Zyrtarët thanë se turistët po 'luanin me vdekjen' duke ngarë mbi akull. / Telegrafi /