"E përmbyllëm Javën e Pavarësisë", Haradinaj ngjitet në majën e Gjeravicës

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ngjitur në majën e Gjeravicës, pikën më të lartë në territorin e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka ndarë momente nga ngjitja dhe ka theksuar simbolikën e kësaj ngjarjeje në kuadër të shënimit të Javës së Pavarësisë. “E përmbyllëm Javën e Pavarësisë duke ngjit majën e Gjeravicës”, ka shkruar Haradinaj në njoftimin e tij publik. Ngjitja në Gjeravica, e cila konsiderohet si maja më e lartë në Kosovë, shpesh ka karakter simbolik dhe patriotik, sidomos gjatë periudhave të shënimit të ngjarjeve të rëndësishme historike për vendin. Haradinaj, i cili vazhdon të jetë aktiv në jetën politike në vend, ka zgjedhur që përmbylljen e aktiviteteve të Javës së Pavarësisë ta shënojë përmes kësaj ngjitjeje.