Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30 në “Rrugën e Pejës”, te semaforët në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga një veturë. Aksidentin me fatalitet e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Sipas Hoxhës, ekipet relevante policore dhe autoambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin. “Një person është ndaluar në këtë fazë nga Policia dhe hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, ka deklaruar Hoxha. Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se detaje të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.