Sot nis Kreshma e Madhe e Pashkëve Ortodokse

Sot besimtarët ortodoksë shqiptarë fillojnë plotësisht Kreshmën e Madhe të Pashkës, e cila sivjet do të zgjasë deri më 12 prill, në të kremten e Ngjalljes së Krishtit, njofton Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Kreshma e madhe e Pashkës është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë parapërgatitore për kremtimin e Pashkës. Përpara kësaj përpjekjeje shpirtërore, vetë Krishti vendosi si parakusht ndjesën (faljen) ndaj tjetrit, ndaj kujtdo, kujtdo që na ka padrejtësuar apo e kemi padrejtësuar: “Sepse nëse ju, ua falni njerëzve fajet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’ju falë juve fajet tuaja” (Mattheu 6:14-18). Kreshma është bashkëpunim i shpirtërores dhe trupores në adhurimin e Perëndisë së gjallë. Duke agjeruar e duke kreshmuar me disa ushqime dhe nga ana tjetër duke kreshmuar nga mëkatet, ndihmojmë të gjithë njeriun, trup e shpirt, të afrohet e të adhurojë Perëndinë. USHQIME QË HAHEN GJATË KRESHMËS Nuk lejohet përdorimi i çdo ushqimi me bazë shtazore. Pra nuk lejohet konsumimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut (peshku lejohet vetëm në dt. 25 mars, në të kremten e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari; dhe të Dielën e Dafinave – sivjet më 5 prill). – Nuk lejohen prodhimet e bulmetit, djathit të çdo lloji, gjalpit, kosit, qumështit, vezës etj. – Ndalohet konsumimi i alkoolit, duhanit dhe veset e tjera apo zakonet e dëmshme. Lejohet konsumimi i perimeve e zarzavateve të ndryshme, si p.sh.: fasule, thjerrëza, oriz, patate, domate, qepë, karota, patëllxhanë, bizele, ullinj, lakër, lulelakër, tranguj, kungull, spec, bamje, panxhar, rrepa, grurë, misër, qiqra, hudhër, kërpudha, spinaq, brokoli, sallatë jeshile, rukola, etj., si edhe i turshive të tyre. – Lejohet konsumimi i frutave të thata: arra, bajame, lajthi, kikirikë, fara, susam, rrush, fik i thatë etj. – Lejohet konsumi i brumërave si makarona (pa vezë), byrek të ndryshëm (me perime të ndryshme). – Gjithashtu lejohet konsumimi i yndyrnave të ndryshme me bazë bimore si p.sh. vaj ulliri, luledielli etj., përpunime të tyre si ato të margarinës e vitamit (shikoni përmbajtjen). – Lejohet konsumimi i frutave të detit, si p.sh. midhje, kallamar, sepje, oktapod, karkaleca etj. – Në këtë kuadër prodhimesh lejohen edhe produktet e ëmbla (pa bulmet e pa vezë) por edhe produkte si p.sh. reçel, marmelatë, mjaltë, hallvë, biskota kreshmore (lexoni paketimin), kakao, sheqer, tahini etj. Gjithashtu edhe për gatim lejohet kakao, soda e bukës, vanilje, miell, maja etj. KËSHILLIM Vaji (çdo lloj vaji bimor: ulliri, luledielli etj.), privimi i pjesshëm i vajit, varet nga udhёzimet e atit shpirtёror (që rrëfehen), i cili edhe jep një program ushtrimor shpirtëror e ushqimor sipas mundësisë dhe gjendjes së shëndetit të gjithsecilit. Kujtojmë se Kreshma ka si qëllim ushtrimin shpirtëror dhe trupor, përpjekje e luftë ndaj pasioneve e dëshirave shpirtërore e trupore, përmirësimin dhe pësosjen e personit tonë dhe jo të dëmtojmë trupin, i cili është edhe Tempull i Shpirtit të Shenjtë. /ATSH/