Inteligjenca artificiale dhe integriteti i informacionit ishte tema e radhës në “Përballje Podcast. Në këtë podcast u diskutua se si po ndryshon mënyra e prodhimit dhe konsumimit të informacionit. A është Inteligjenca Artificiale rrezik për median dhe integritetin e informacionit, apo thjesht një teknologji që përshpejton proceset ekzistuese? Mërgim Hoti, asistent universitar nga FIEK-UP dhe Hyrije Mehmeti, hulumtuese në Hibrid.info theksuan se Inteligjenca Artificiale nuk është kërcënim në vetvete, por mënyra se si përdoret dhe mungesa e rregullimit mund të rrezikojnë integritetin e informacionit. - YouTube www.youtube.com Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës tha se Inteligjenca Artificiale tashmë është pjesë e përditshmërisë dhe duhet parë si mjet ndihmës. “Inteligjenca artificiale është tashmë pjesë e jetës sonë. Nuk duhet të shihet si pengesë, por si diçka që na ka përshpejtu procedurat tona dhe aktivitetet e përditshme”, u shpreh Hoti në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. Mërgim Hoti nga FIEK (UP) Foto: Ridvan Slivova Megjithatë, ai theksoi se teknologjia mund të përshpejtojë edhe përhapjen e përmbajtjeve të pasakta. “Dezinformimi shpërndahet rreth gjashtë herë më shumë sesa informacioni i saktë për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale”, deklaroi ai, duke iu referuar publikimeve shkencore. Sipas Hotit, Inteligjenca Artificiale funksionon mbi bazën e algoritmeve dhe të dhënave me të cilat trajnohet. “Nëse është trajnu me dezinformata, mos prit që kemi marrë informacion të saktë”, theksoi ai, duke shtuar se pas çdo modeli duhet të qëndrojë gjithmonë një verifikim njerëzor. Nga ana tjetër, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetjet e raportit “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, ku janë analizuar tre modele të mëdha chatbot-ësh për çështje që lidhen me Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe temat globale. “Të dhënat tregojnë që botët jo gjithmonë japin përgjigje të saktë. Shpesh përfshijnë elemente që mund ta çorientojnë lexuesin”, tha Mehmeti, shkruan Telegrafi. Hyrije Mehmeti nga HIBRID.info Foto: Ridvan Slivova Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte se e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme, kthen përgjigje të ndryshme. “Rezulton që e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, kthen përgjigje të ndryshme nga i njëjti model”, theksoi ajo. Sipas saj, kjo dëshmon se konteksti gjeografik dhe mënyra e formulimit të pyetjes ndikojnë në përgjigjen e chatbot-it. Mehmeti nënvizoi edhe rëndësinë e transparencës në media. “Pavarësisht nëse një media e shpërndan një lajm të rremë duke përdorur inteligjencë artificiale, përgjegjësia nuk largohet. Duhet të jemi transparentë kur përdorim IA”, deklaroi ajo. Të dy ekspertët theksuan se edukimi medial dhe edukimi dixhital janë thelbësorë për qytetarët, në mënyrë që të dallojnë përmbajtjet e gjeneruara me Inteligjencë Artificiale. Mërgim Hoti e Hyrije Mehmeti me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu Foto: Ridvan Slivova Në fund, Hoti paralajmëroi se e ardhmja mund të karakterizohet nga një përballje mes sistemeve të Inteligjencës Artificiale. “Do të jetë një luftë mes një AI që dezinformon dhe një AI tjetër që tenton me largu informacionet e pasakta”, tha ai. Diskutimi përfundoi me thirrjen për bashkëpunim ndërmjet mediave, universiteteve dhe shoqërisë civile, si dhe për harmonizim gradual me standardet evropiane, në mënyrë që përdorimi i Inteligjencës Artificiale në Kosovë të mbetet etik, transparent dhe në funksion të së vërtetës. /Telegrafi/