Luis Diaz ka një kontratë të çuditshme te Bayern Munichu, gjobitet rëndë nëse s’mëson gjermanisht

Luis Diaz po shkëlqen te Bayern Munich, por jashtë fushës ai po përballet me një sfidë të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me kontratën e tij. Pas suksesit me Liverpool në sezonin e parë të Arne Slot, kolumbiani u transferua te kampionët e Bundesligës për 65.5 milionë funte, duke firmosur kontratë katërvjeçare. Në aspektin sportiv, përshtatja ka qenë e menjëhershme nën drejtimin e Vincent Kompany, me Diaz që ka regjistruar 19 gola dhe 15 asistime në të gjitha garat. Megjithatë, sulmuesi e ka pranuar se vështirësia më e madhe mbetet gjuha. Spanjishtja është gjuha e tij amtare, ndërsa më parë mësoi portugalisht te FC Porto dhe pak anglisht gjatë kohës në Liverpool. Në një intervistë për Sky Deportes, ai konfirmoi se gjuha gjermane mbetet “gjëja më e vështirë” në procesin e adaptimit. Sipas raportimeve të “BILD”, në kontratën e Diaz ekziston një “klauzolë gjuhe” që e detyron atë të ndjekë kurse për përmirësimin e gjermanishtes. Kjo është një detyrim zyrtar i përfshirë në marrëveshje. Ai duhet të marrë pjesë në dy ose tre seanca gjuhësore në javë dhe pritet të tregojë progres të dukshëm. Në rast se nuk ka përmirësim të konsiderueshëm, parashikohen penalitete financiare që variojnë nga 5 mijë deri në 50 mijë euro, varësisht nga niveli i përmbushjes së kërkesave. Në skuadër nuk ka shumë folës të spanjishtes, por kapiteni Joshua Kimmich — i cili flet edhe frëngjisht dhe anglisht — është ndër të paktët dhe ka krijuar shpejt miqësi me Diazin. “Ne kemi disa lojtarë që flasin pak spanjisht. Anglishtja e tij është gjithashtu në rregull. Kështu që po ia dalim si ekip”, ka thënë Kimmich. Pavarësisht vështirësive gjuhësore, Diaz po e shijon periudhën te Bayerni, që aktualisht kryeson Bundesligën me tetë pikë avantazh para përballjes së madhe ndaj Borussia Dortmund në “Der Klassiker” në Signal Iduna Park fundjavën e ardhshme./ Telegrafi/