Droga po ndryshon formë në Kosovë - Berisha e Blakaj flasin për rritjen e përdorimit të kokainës e deri te rreziku tek adoleshentët

Në episodin e 63-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, neuropsikiatri Bujar Berisha dhe defektologu Safet Blakaj diskutuan për përdorimin e drogave në Kosovë, pasojat në shëndetin mendor dhe sfidat e trajtimit e rehabilitimit. Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte ndryshimi i profilit të përdorimit të drogave ndër vite. - YouTube www.youtube.com Sipas ekspertëve, në fillim të viteve 2000 dominonte heroina, ndërsa në pesë vitet e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e përdorimit të kokainës. Ata theksuan se ekziston një perceptim i gabuar se kokaina “nuk krijon varësi” apo se është më pak e rrezikshme, por e vërteta është ndryshe: ajo krijon varësi, dëmton shëndetin mendor dhe ndikon në funksionimin familjar e profesional të individit. Berisha sqaroi se nuk ekziston një arsye e vetme pse një i ri fillon të përdorë drogë. “Faktorët janë të ndërthurur: Faktorë biologjikë (ndryshime në tru dhe në sistemin e shpërblimit). Faktorë psikologjikë (trauma, mungesë afeksioni, probleme emocionale). Faktorë socialë (dëshira për t’i takuar grupit, kureshtja, ndikimi i rrethit)”, tha Berisha. Ndërsa Blakaj tha se nuk bëhet fjalë për “presion të bashkëmoshatarëve”, por për dëshirën e individit për përkatësi dhe identifikim me një grup të caktuar. Një tjetër shqetësim i ngritur ishte fakti se adoleshenca sot po fillon më herët – rreth moshës 11–13 vjeç. Kjo do të thotë se ekspozimi ndaj rreziqeve, përfshirë drogën, po ndodh në një fazë më të hershme të zhvillimit. Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/