Transferimi që i shpëtoi nga duart Barcelonës dhe tani po shkëlqen në La Ligë

Transferimi që i shpëtoi Barcelon ë s po kthehet sot në një nga historitë më të komentuara të sezonit në La Liga. Marc Pubill, mbrojtësi i ri katalanas që për muaj të tërë ishte në radarët e klubit blaugrana, po shkëlqen me fanellën e Atletico Madridit, duke konfirmuar potencialin e tij në elitën e futbollit spanjoll. Atletico e transferoi nga Almeria për 16 milionë euro, në një operacion që fillimisht u konsiderua si investim për të ardhmen. Megjithatë, zhvillimi i tij ka qenë i menjëhershëm. I njohur më parë si mbrojtës i djathtë, Pubill ka kaluar një transformim taktik në Madrid, duke u vendosur në qendër të mbrojtjes. Vendimi i stafit teknik ka rezultuar i qëlluar, pasi forca fizike, shpejtësia në ndërhyrje dhe aftësia për të mbuluar hapësira të mëdha i kanë mundësuar të përshtatet natyrshëm në një rol që kërkon inteligjencë dhe lexim të lartë loje. Në vetëm 22 vjeç, ai tashmë përballet me sulmues të nivelit më të lartë me siguri dhe pjekuri, ndërsa shumë analistë e shohin si kandidat serioz për një ftesë nga Kombëtarja e Spanjës në Botërorin e ardhshëm. Rritja e tij e shpejtë ka rritur edhe interesimin në treg. Klauzola e lirimit prej 80 milionë eurosh, ndonëse e lartë, nuk duket më e paarritshme për klubet e mëdha evropiane. Në Madrid janë të vetëdijshëm se afati kalimtar mund të ndizet në çdo moment, por synimi është i qartë: ta “blindojnë” si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes për vitet e ardhshme. Ndërkohë, në Barcelonë ndjekin me zhgënjim evolucionin e tij. Pubill kishte qenë në orbitën e klubit katalanas që nga vitet e formimit në akademinë e RCD Espanyol, por transferimi nuk u konkretizua asnjëherë. Në ambientin blaugrana besohet se ai do të ishte përshtatur në mënyrë ideale përkrah talentit të ri Pau Cubarsi në qendër të mbrojtjes, duke krijuar një dyshe të re dhe me perspektivë afatgjatë. Megjithatë, një ofensivë e mundshme për ta rikthyer në të ardhmen duket tepër e ndërlikuar, pasi Atletico nuk ka asnjë synim të lehtësojë largimin e tij. Marc Pubill nuk konsiderohet më një premtim për të ardhmen, por një realitet i konsoliduar në La Liga, dhe emri i tij pritet të jetë ndër më të përfolurit në tregun evropian në vitet në vijim. /Telegrafi/