"Ajo që po komentohet më së shumti për Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë janë kushtet për avancim në tituj. Nëse bëjmë krahasim, ato nuk janë aq të larta sa në vendet e tjera evropiane. Mirëpo duhet t’i përforcojmë sepse pasi u ndërprenë me ligjin e vitit 2018, cilësia e arsimit të lartë ra në mënyrë drastike dhe këtë duhet ta ndryshojmë. E kuptoj frikën e komunitetit akademik, e kuptoj se duhet të kalojmë nga një fazë në një tjetër, por kriteret që propozojmë janë të realizueshme". Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në debat në ASHAM, kushtuar Propozim-ligjit të ri për Arsimin e Lartë. Ajo gjithashtu tha se roli i arsimit të lartë është të krijojë të mirën publike, të krijojë inteligjencë që më tej do ta zhvillojë shtetin. "Të krijojë individë profesionistë të aftë dhe kompetentë, por edhe persona empatikë dhe me moral, të cilët në të ardhmen do të sigurojnë prosperitet shoqëror. Nga ana tjetër, shteti i financon institucionet e arsimit të lartë dhe, për rrjedhojë, duhet të kërkojë llogaridhënie për shpenzimin e mjeteve dhe përgjegjësi për rezultatet e arritura”, theksoi Janevska. Ligji, theksoi ministrja, ofron meritokraci, ndërkombëtarizim dhe motivim për bashkëpunim që mungon tek stafi akademik, përfshirë punën kërkimore-shkencore që është e pandashme nga arsimi. Gjithashtu theksoi se propozim-ligji ka mundësi për përmirësime, përkatësisht disa dispozita do të ndryshohen sipas sugjerimeve të komunitetit akademik. Sipas saj, duhet të përfundojnë të gjitha debatet publike, dhe më pas, kur gjithçka që duhet të korrigjohet përsëri, ligji do të publikohet në ENER për disa ditë, pas së cilës do të hyjë në procedurë qeveritare. Janevska gjithashtu informoi se gjatë ditës së djeshme është publikuar edhe Propozim-ligji për Aktivitetin Kërkimor-Shkencor. Anëtarët e ASHAM-it bien dakord se janë të nevojshme ndryshime në arsimin e lartë, duke theksuar se të gjitha vërejtjet që kanë për ligjin do t’i dorëzojnë këtë javë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.