"Safe City" ka regjistruar rreth 5 mijë shkelje në trafik janë nga 1 shkurti

Në javën e tretë të sistemit “Safe City”, kamerat inteligjente kanë kapur 4 910 shkelje në trafik, ku numri më i madh i tyre, apo rreth 4700 janë për tejkalim shpejtësie. Të dhënat e MPB-së flasin për përgjysmim të një prej shkeljeve të rrezikshme, siç është kalimi në dritë të kuqe në semafor. “Për kalim në dritë të kuqe në semafor 16 shkelje, që paraqet ulje të numrit për 51.5 për qind krahasuar me javën e kaluar ku kishte 33 shkelje. Ndërsa në javën e parë të muajit ishin regjistruar madje 163 shkelje për kalim në të kuqe, ndërsa për drejtim të automjetit pa afat të regjistrimit të makinës janë konstatuar 203 shkelje”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme. 117 shoferëve u janë shqiptuar masa “ndalesë të drejtimit me automjetin”, që sipas policisë shënon një ulje të numrit për mbi 20 për qind, krahasuar me një javë më parë. Nga MPB nënvizojnë se në javën e parë të këtij muaji, ishin shqiptuar madje deri në 288 masa të tilla. “Prej 117 masave që ishin shqiptuar javën e kaluar, 16 janë kalim në të kuqe, 101 për shpejtësi, prej të cilëve 75 për shpejtësi më të madhe se 80 kilometra në orë në vendbanim, 19 për shpejtësi më të madhe prej 10 kilometra në orë dhe 7 për shpejtësi më të madhe se 170 kilometra në orë jashtë vendbanimit”, thonë tutje nga Ministria e Punëve të Brendshme. Qytetarët thonë se kanë vërejtur kujdes më të shtuar të shoferëve në trafik, ndërsa këmbësorët tashmë po ndjehen më të sigurt nëpër rrugë. Ata nënvizojnë se njohin njerëz që nga frika e sanksioneve, vozisin vetëm 30 kilometra në orë, madje edhe aty ku shpejtësia e lejuar është 50. “kjo është mirë, por për kënd..Gruaja ime vozit më shumë, e kapën njëherë kamerat, i erdhi mesazhi me 36, tani ajo po vozit 30 kilometra në orë, edhe pse në Shkup është 50 edhe në bulevard vozit 30 kilometra në orë dhe po më nervozon”, tha një qytetar. “Është më mirë, shumë më mirë për të gjithë do të jetë më mirë, kush e respekton se kush nuk e respekton atëherë tjetër është”, u shpreh një qytetar tjetër. Përveç sistemit “Safe City” vazhdojnë kontrollet e intensifikuara edhe të ekipeve mobile të policisë, të cilët çdo ditë konfiskojnë makina dhe arrestojnë drejtues automjetesh, që kapen duke drejtuar automjetin, pa poseduar patentë të vlefshme. /Alsat/