Mesfushori i talentuar Medjen Llumnica ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke nënshkruar një kontratë me ekipin e pare të Malmo FF dhe njëkohësisht është huazuar te BK Olympic për sezonin 2026. I lindur më 31 janar 2007, Llumnica ka kaluar katër vite të zhvillimit në akademinë e Malmos, duke kaluar nga ekipet e moshave te U19 dhe duke stërvitur me ekipin A. Kontrata e tij e re do të zgjasë tre vjet, ndërsa huazimi tek BK Olympic synon t’i japë mundësinë të fitojë eksperiencën e nevojshme në futbollin e seniorëve. Trajneri i Malmö FF, Daniel Andersson, theksoi se Llumnica është zhvilluar mirë dhe ky është hapi I fundit para se të jetë gati për ekipin e parë. “Medjen bëri hapa të mëdhenj vitin e kaluar në ekipin tonë P19. Pas një kthese të mirë zhvillimi, ai ka fituar kontratë A dhe tani po e huazojmë te Olympic për t’i dhënë mjetet e fundit për të bërë hapin përpara në futbollin e seniorëve”, deklaroi Anderson. Nga ana e tij, Llumnica u shpreh i lumtur me hapin e radhës, duke falënderuar Malmon. “Sigurisht që është e veçantë për mua. Kjo ka qenë një ëndërr që kur erdha në MFF katër vjet më parë. Ndihem krenar që përfaqësoj këtë klub. Akademia e Malmö më ka zhvilluar shumë si lojtar dhe si person”. “Kam kaluar periudha të vështira dhe kam luftuar, kështu që tani ndihem shumë mirë. Do ta përshkruaja veten si një mesfushor qendror të sigurt, ku të kuptuarit e lojës është forca ime më e madhe. Gjithmonë jap 100% për ekipin”, deklaroi talenti Kosovar. Ky huazim dhe kontrata e re janë një hap i rëndësishëm për Llumnicën drejt konsolidimit të vendit të tij në futbollin profesionist dhe për të treguar potencialin e tij në skenën e madhe suedeze. / Telegrafi /