Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas shqetësimeve që u krijuan nga projekt-buxheti i qeverisë për Stadiumin Nacional të Futbollit, ku nuk është specifikuar lokacioni i projektit. Lladrovci ka theksuar se vendndodhja e stadiumit është tashmë e përcaktuar: në Zonën Kadastrale Sankoc, pranë autostradës “Ibrahim Rugova”, duke e cilësuar këtë zonë si strategjike dhe të përshtatshme për futbollin kosovar. “Vendndodhja nuk ka qenë e lidhur me ndikime materiale apo politike. Studimi i fizibilitetit është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë dhe është vlerësuar si më e përshtatshme për vendin. Arsyeshmëria e ngritjes së stadiumit aty lidhet me hapësirën, qasjen, ambientin dhe transportin,” tha Lladrovci, i cili shtoi se 10 milionë euro kanë shkuar tashmë për studim fizibiliteti. Ai kujtoi historikun e projektit, që tashmë pritet të marr hapat e pare pas shumë vitesh zhagitjesh. “Më 18 mars 2014, kryeministri Hashim Thaçi pati vendosur për ndërtimin e Stadiumit Nacional në Bërnicë. Më 4 dhjetor 2017, kryeministri Ramush Haradinaj vendosi projektin ideor në Sankoc, duke përfshirë studimin e fizibilitetit dhe shpronësimet. Stadiumi i duhet Kosovës sa më shpejt të ndërtohet, për sportistët, sportdashësit dhe reputacionin e shtetit tonë!”, shkroi ai. Sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për realizimin e këtij projekti për vitin 2026 janë planifikuar 4 milionë euro, për vitin 2027 pastaj 5 milionë euro dhe për vitin 2028 plotë 6 milionë euro. Lladrovci ka bërë të ditur se nuk do të lejohet ndryshimi i lokacionit dhe çdo përpjekje për këtë do të ndiqet me mekanizmat ligjorë përkatës. Stadiumi Nacional nevojitet për Lojërat Mesdhetare, që do të mbahen në Kosovë në vitin 2030. / Telegrafi /