Milani i pakënaqur me gjykimin, katër vendime të diskutueshme në dy ndeshjet e fundit

AC Milan ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Associazione Italiana Arbitri (AIA) për disa vendime të fundit në Serie A, të cilat kuqezinjtë i konsiderojnë si të dëmshme për ekipin. Së fundmi, Milani pësoi humbje surprizë 1-0 në shtëpi ndaj Parma Calcio 1913, disfatë që i la në vendin e dytë, por tashmë 10 pikë prapa liderit Inter. Sipas mediave italiane, drejtuesit e klubit kanë qenë në kontakt me AIA-n për të shprehur zhgënjimin, por pa paraqitur një ankesë zyrtare pas ndeshjes me Parmën. Dy episodet që zemëruan Milanin ndaj Parmës Incidenti i parë lidhet me përplasjen mes portierit të Parmës, Edoardo Corvi, dhe mesfushorit të Milanit, Ruben Loftus-Cheek. Përsëritjet treguan se Corvi nuk arriti topin, por pati kontakt të fortë me anglezin, i cili u largua me barelë dhe më pas iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në nofull, pasi humbi disa dhëmbë dhe pësoi frakturë të kockës alveolare. Milani mendon se portieri duhej të ishte ndëshkuar. Rasti i dytë ka të bëjë me golin e fitores të realizuar nga Mariano Troilo në minutën e 80-të. Fillimisht, gjyqtari Marco Piccinini e anuloi golin për faull ndaj Davide Bartesaghi, por pas konsultimit me VAR-in, vendosi ta japë atë. Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, nuk kishte një “gabim të qartë dhe të dukshëm” në vendimin fillestar, çka do të thoshte se ndërhyrja e VAR-it nuk ishte e domosdoshme. Kontestime edhe ndaj Comos Pakënaqësitë e Milanit nuk kufizohen vetëm te ndeshja me Parmën. Në barazimin 1-1 ndaj Como 1907, kuqezinjtë pretendojnë se trajneri Cesc Fabregas duhej të ishte përjashtuar për ndërhyrje ndaj Alexis Saelemaekers. Po ashtu, Milani beson se Ignace Van der Brempt duhej të ndëshkohej me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Strahinja Pavlovic, e cila e la mbrojtësin serb të lënduar. Në total, drejtuesit kuqezi konsiderojnë se katër vendime të rëndësishme në dy ndeshje radhazi kanë ndikuar negativisht në rezultatet e skuadrës, në një moment kyç të sezonit në Serie A. /Telegrafi/