Kryeministri i vendit, Albin Kurti të dielën dhe të hënën ka takuar krerët opozitarë, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovë, Bedri Hamza, si dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilët ka biseduar për çështjen e presidentit. Kryeministri Albin Kurti deklaroi të hënën në takimet që ka pasur janë diskutuar një sërë temash me rëndësi, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Kurti bëri të ditur se në takim janë trajtuar zhvillimet politike në vend, situata e sigurisë, politika e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe progresi i arritur dhe sfidat që e presin vendin. Hoxha e quan Kurtin “Big Brother”: Eliminoi Osmanin dhe Konjufcën nga gara për president Sa i përket çështjes së presidentit, Kurti theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka një kandidat partiak për këtë post. “Tash e kemi edhe një sfidë; në njërën anë ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një emër të përveçëm, pra LVV nuk e ka një anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Pra, ose të gjejmë një emër të përveçëm për president, ose partitë të merren vesh mes vete për të vazhduar tutje”, deklaroi Kurti. Kurti pas takimit të së hënës me Abdixhikun, po ashtu tha se palët janë zotuar për vazhdim të komunikimit dhe ka falënderuar LDK-në për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. E kryeministri Kurti para takimit me Abdixhikun, të dielën ka takuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Ky i fundit, ka ndarë detaje nga takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Gjatë intervistës në “Debat Plus”, Hamza theksoi se në bisedë janë trajtuar tema të ndryshme, duke vënë theksin te interesi shtetëror. “Kemi biseduar për tema të ndryshme. Sigurisht se për PDK-në, e kam thënë dhe e ripërsëris, interesi i Kosovës është para interesit politik. Besoj që në këtë drejtim kemi reflektuar”, ka deklaruar ai. Sipas Hamzës, edhe pse Kuvendi është konstituuar dhe Qeveria është zgjedhur, procesi institucional nuk mund të konsiderohet i përfunduar pa zgjedhjen e Presidentit. “Është konstituuar Kuvendi, është zgjedhur qeveria. Mirëpo ky proces nuk përmbyllet pa zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes. Vendi s’mund të jetë pa zgjedhjen e Presidentit, sepse dihet që më 4 mars është dita e fundit kur vendi duhet ta ketë Presidentin e ri”, ka thënë ai. Hamza sqaroi se në takimin me Kurtin nuk është diskutuar për interesa partiake dhe nuk janë përmendur emra konkretë për postin e Presidentit. “I jam përgjigjur ftesës së Kurtit dhe kam thënë që PDK gjithmonë ka vepruar në atë mënyrë që nuk kam vendosur vija të kuqe. Unë dje nuk kam shkuar të bëj marrëveshje politike për të kërkuar që ne të kemi hise apo të përfitojmë diçka politikisht apo të bëjmë ndonjë pazar politik. Në takim nuk ka pasur prezantim të ndonjë emri. Asnjë emër nuk është përmendur. Kemi diskutuar për parime, rregulla”, ka deklaruar kryetari i PDK-së. E lidhur me çështje e presidentit, të hënën pas takimit me Kurtin, ka folur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm ekzistojnë vetëm dy opsione: konsensus politik mes faktorëve të vendit ose një marrëveshje klasike politike mes partive. Abdixhiku tha se diskutimet kanë përfshirë jo vetëm çështjen e presidentit, por edhe tema të politikës së jashtme, sigurisë dhe interesave të përbashkëta shtetërore, si dhe buxhetin e Komunës së Prishtinës dhe atë qendror. “Ishte një takim ndërpartiak, ku diskutuam çështjen e ardhshme të zgjedhjes së presidentit dhe jo vetëm. Folëm për politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, çështje të sigurisë dhe tema me interes të përbashkët. E falënderova për përfshirjen e buxhetit të Prishtinës në buxhetin shtetëror. U zotuam për çështje të marrëveshjeve ndërkombëtare në interes të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku. Ndryshe, sipas Kushtetutës, presidenti i vendit, duhet të zgjidhjet 30 ditë para se presidentit aktual t’i kaloj mandati. Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e vendit, më 4 prill 2021. /Telegrafi/