Nga data 1 mars 2026, të gjithë qytetarët që përfshihen në kategoritë e liruara nga pagesa në autobusët e NPK “Trafiku Urban” të Komunës së Prishtinës do të lejohen të udhëtojnë falas vetëm përmes Kuletës Digjitale. Kategoritë e përfshira janë: fëmijët deri në 7 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, rastet sociale, veteranët dhe invalidët e Luftës së UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, pensionistët e Komunës së Prishtinës, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Policia e Kosovës, zjarrfikësit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, stafi shëndetësor dhe administrativ i institucioneve komunale shëndetësore dhe arsimore, punonjësit e administratës komunale dhe studentët e Kryeqytetit. Si të përfitoni Për të përfituar nga ky privilegj, duhet të krijoni llogari në Kuletën Digjitale dhe të ngarkoni dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë letërnjoftimin, fotografi dhe vërtetim nga institucioni përkatës. Pensionistët mbi 65 vjeç lirohen vetëm me kartë identiteti. Nxënësit, rastet sociale dhe personat me aftësi të kufizuara mund të përdorin Kuletën Digjitale ose kartelë fizike. Personat pa telefon ose pajisje digjitale mund të aplikojnë për kartelë fizike në linkun: https://kd.pbc.group/ticket dhe brenda 7 ditësh do të pajisen. Pikëmbushja e Kuletës Digjitale dhe kartelave fizike Përmes kartelës bankare direkt në aplikacion ose në pikat e shitjes së biletave të Trafikut Urban, të cilat ndodhen në: Pas Objektit të Komunës (tek “Plepat”) – E hënë deri e shtunë: 07:00–21:00, e diel: 08:00–16:00 Lagjja “Kodra e Diellit”, tek “Banesat e Bardha” – E hënë deri e premte: 07:00–21:00, e shtunë: 07:00–14:00 Bulevardi “Bill Kllinton” (afër nënkalimit) – E hënë deri e shtunë: 07:00–21:00, e diel: 08:00–16:00 Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë synon lehtësimin e qasjes në transportin publik për kategoritë e përfituese, duke e bërë procesin më transparent dhe të menaxhueshëm përmes përdorimit të teknologjisë digjitale.