Ka filluar puna e Këshillit Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, manifestim që do të zhvillohet më 5, 6 dhe 7 mars 2026. Takimi i parë u kryesua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe bashkëkryesuesi Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, si dhe anëtarë të tjerë të Këshillit. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për agjendën e aktiviteteve për tri ditët e manifestimit, si dhe për ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, me qëllim organizimin e ngjarjes me respekt të lartë shtetëror. Pas konsultimeve të përbashkëta, Këshilli miratoi agjendën zyrtare për datat 5–7 mars, si dhe logon zyrtare të manifestimit. Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë koordinimin e ngushtë për të siguruar realizimin e suksesshëm të të gjitha aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj ngjarjeje historike.