Ish-kryeministri i Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, është shtruar në spital pas një tentative për vetëvrasje, ndërsa autoritetet në këtë vend po zhvillojnë një hetim të gjerë për korrupsion të rëndë të dyshuar, lidhur me dokumentet e çështjes Jeffrey Epstein. Hetimi ka filluar pasi dosjet nga sagat e pedofilit të ndjerë amerikan Epstein nxorën në pah kontakte dhe përfitime të mundshme nga Jagland dhe familjarët e tij. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth një javë më parë dhe, sipas burimeve të huaja të lajmeve, gjendja e ish-kryeministrit për momentin është serioze. Incidenti u bë publik ndërsa hetimi ndaj tij dhe figurave të tjera të njohura politike vijon, pas publikimit të një sërë dokumentesh që lidhen me Epstein. “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme,” Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës ia pohonte Epsteinit Policia norvegjeze dhe Njësia Speciale për Krime Ekonomike, Okokrim, kanë nisur hetime ndaj Jagland nën dyshimin për “korrupsion të rëndë”, pas gjetjes së disa dokumenteve që duket se tregojnë se ai dhe familja e tij kanë udhëtuar ose kanë qëndruar në prona të mbajtura nga Epstein në periudhën 2011-2018. Autoritetet e kanë kërkuar më parë që Këshilli i Evropës t’i heqë imunitetin diplomatik ish-zyrtarit në mënyrë që hetimi të vazhdojë. Jagland, i cili ka shërbyer si kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996–1997 dhe më vonë si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit për disa vite, ka mohuar akuzat për përgjegjësi penale dhe sipas avokatëve të tij është i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesit, shkruajnë mediat . Hetimi përfshin edhe një kontroll të pronave të Jagland në Oslo dhe në zona të tjera të Norvegjisë, ndërsa autoritetet vijojnë të shqyrtojnë nëse ai përfitoi dhurata, udhëtime apo favore të tjera që mund të jenë lidhur me pozitat e tij të larta zyrtare. Raste të tjera të ndikimit të dosjeve të Epstein janë raportuar edhe në vende të tjera të botës, duke përfshirë arrestime dhe hetime ndaj figurave të profilit të lartë publike, duke dëshmuar ndikimin e gjerë të skandalit në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/