Kurti takohet me ambasadorët për zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë, në kuadër të fazës së zbatimit gradual të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, të cilat hynë në fuqi më 15 janar 2026. Ky është takimi i dytë i këtij formati, që ka për qëllim informimin e drejtë dhe të plotë të diplomatëve dhe komunitetit ndërkombëtar mbi masat dhe aktivitetet që po ndërmerren nga Ministria e Brendshme, për të siguruar një zbatim të qartë dhe korrekt të ligjeve për qytetarët e huaj dhe pronarët e automjeteve në Kosovë. Kryeministri Kurti njoftoi se zbatimi i plotë i ligjeve do të fillojë më 15 mars 2026, duke theksuar rëndësinë e informimit paraprak të të gjithë të huajve mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe garantimin e respektimit të kornizës ligjore dhe procedurave administrative në mënyrë transparente. Qëllimi i këtyre takimeve është bashkëpunimi i ngushtë me komunitetin diplomatik, për të siguruar që çdo informacion të jetë i saktë dhe i qartë, duke shmangur keqkuptimet dhe duke rritur besimin në institucionet kosovare.