Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot (e martë) gjatë ditës, drejtuesit e klubit të basketbollit Sigal Prishtina, folën për problemet nëpër të cilat po kalon klubi prishtinas. Ndër të tjerash drejtori i klubit Luan Maloku, konfirmoi se sezonin e kaluar basketbollisti amerikan Jordan Davis, kishte marrë pagë prej 25 mijë eurosh. Këto shifra kanë tronditur opinonin sportiv në Kosovë, ku tashmë nuk kanë munguar as reagimet nga figurat e njohura publike. “700 mijë euro u zhdukën për 30 ditë” – Sigal Prishtina shpërthen me akuza, por garanton mbijetesën e klubit Njëri ndër personat që reagoi ishte edhe trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, i cili mbeti i befasuar nga këto shifra të publikuara. “A është kjo e vërtetë, miq? Nëse po, këto janë para të taksapaguesve tanë. Diku po kërkoni qime në vezë, ndërsa kjo qenka e lejuar”, ka shkruar Kuka në statusin e tij në Facebook. Ashtu siç ka konfirmuar drejtori Maloku, Prishtina po përballet me një krizë financiare, por siç kishte shtuar ai, klubi nuk është në rrezik të shuarjes. Kujtojmë se Sigal Prishtina, sipas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë vitit të kaluar kishte realizuar të hyra prej 1.2 milionë eurosh nga sponsorizimet./ Telegrafi /