Një banor nga rajoni i Kërçovës do të marrë 5 mijë euro (300 000 mijë denarë) si kompensim për dhimbjet fizike dhe frikën e përjetuar, pasi ishte sulmuar dhe plagosur nga një ari. Incidenti ka ndodhur në gusht të vitit 2022, kur burri po kthehej në këmbë nga ara drejt shtëpisë së tij. Sipas të dhënave, pa asnjë provokim është sulmuar nga kafsha e egër, e cila e ka rrëzuar dhe e ka kafshuar. Gjatë sulmit ai ka pësuar lëndime në anën e djathtë të ballit dhe të tëmthit, si dhe mavijosje në pëllëmbët e duarve dhe në kofshë. Pas ngjarjes është shtruar në spitalin e Prilepit, ku plagët i janë trajtuar në mënyrë kirurgjikale dhe ka marrë edhe vaksinën kundër tërbimit. Për shkak të pasojave nga sulmi, ka kërkuar edhe ndihmë psikiatrike. Sipas konstatimeve mjekësore, dhimbjet me intensitet të lartë kanë zgjatur rreth dhjetë ditë, veçanërisht në zonën e kokës dhe të pëllëmbëve. Gjykata Themelore në Kërçovë fillimisht i kishte caktuar 350.000 denarë për dëmin jomaterial. Megjithatë, pas ankesës, rasti është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit në Gostivar, e cila e ka ulur dëmshpërblimin në 300.000 denarë. Me vendimin përfundimtar, të dëmtuarit i janë ndarë 100.000 denarë për dhimbje fizike, 100.000 denarë për frikën e përjetuar, 50.000 denarë për zvogëlim të aktivitetit të përgjithshëm jetësor dhe 50.000 denarë për dhimbje shpirtërore për shkak të shëmtimit.