Rritja e bimëve të brendshme si orkidetë kërkon shumë durim dhe përkushtim të vazhdueshëm. Mund të keni provuar tashmë trukun me llumin e kafesë apo metodën shumë të përhapur me lëvoren e bananes për t’i mbajtur ato të shëndetshme, por a keni dëgjuar për përdorimin e ujit të orizit? Kjo është një metodë që Shifta Khan, anëtare e grupit në Facebook “Orchids Tips and Tricks”, ka përdorur për t’u dhënë orkideve një burim të ri ushqyesish. Duke ndarë një foto të orkidesë së saj në lulëzim të plotë, Shifta tregoi se bima “nuk kishte lulëzuar për 18 muaj” përpara se të provonte këtë metodë. “E ushqeja me pleh për orkide çdo dy javë dhe dukej e shëndetshme, por nuk po lulëzonte”, theksoi ajo. Fqinji i saj i sugjeroi të provonte ujin e orizit. Kjo përfshinte zhytjen e orizit në ujë për 30 minuta, kullimin e ujit dhe më pas vendosjen e vazos së orkidesë në një enë të mbushur përgjysmë me këtë ujë për 15 minuta. “E bëra këtë tri herë dhe ja ku nisi të rritej një kërcell me lule, dhe ka lulëzuar pa ndërprerje për më shumë se një muaj. Unë jam në Mbretërinë e Bashkuar dhe i ujis orkidetë çdo dy javë duke i zhytur në ujë për 15 deri në 20 minuta”, potencoi Khan. Por a është vërtet i dobishëm uji i orizit për orkidetë? Në fakt, po — deri diku. Uji i orizit përmban niseshte, e cila mund t’u japë energji orkideve. Ai përmban gjithashtu vitaminë B, e cila lirohet në tokë kur përdoret. Veçanërisht vitamina B ndihmon orkidetë të zhvillojnë një sistem rrënjor të fortë, prandaj shpesh gjendet në plehrat për bimë. Sasia e vitaminës B dhe niseshtes në ujin e orizit mund të japë një nxitje të mirë për rritjen e orkidesë. Megjithatë, duhet theksuar se ujitja shumë e shpeshtë me ujë orizi mund të ketë efekt negativ, pasi niseshtja mund të krijojë një shtresë të trashë që ndikon në kullimin e ujit. Është më mirë të mos mbështeteni vetëm te uji i orizit, por ta përdorni me masë dhe jo shumë shpesh, si një shtesë për orkiden krahas plehut të rregullt.