Aktori dhe këngëtari Bes Kallaku ka rikthyer vëmendjen e publikut me projektin e tij më të fundit muzikor, një këngë që tingëllon si një rrëfim i hapur për periudhat më të vështira të jetës së tij personale dhe profesionale. Menjëherë pas publikimit, rrjetet sociale kanë shpërthyer në komente dhe aludime se disa prej vargjeve më të drejtpërdrejta janë një mesazh i koduar për ish-bashkëshorten e tij, këngëtaren Xhensila Myrtezaj. Fraza që ka marrë më shumë vëmendje është: “Janë thonë ça s’janë thonë por hiç s’i përfilli / Se mes meje dhe teje, dihet kush ishte thëngjilli”. Publiku e ka interpretuar këtë si një “thumb” të hapur për të shkuarën e tij sentimentale, ndërsa vargje të tjera flasin për zhgënjim dhe sakrifica të pashpërblyera: “E sot po paguj borxhet që kam marrë për tjerët” dhe “Ata që i ngrita, të parët më goditën” . Në këngë, Besi prek edhe periudhën e heshtjes së tij pas ndarjes së bujshme mediatike, duke u shprehur: “Unë nuk fola vet por lash kohën që të fliste” . - YouTube youtu.be Përtej dhimbjes dhe reflektimit, projekti mbart edhe një mesazh shprese. Ai rikujton fillimet e tij si 17-vjeçar, kur – sipas rrëfimit – përballej me vështirësi të mëdha, madje duke fjetur nëpër stola, përpara se të prekte suksesin falë dashurisë së publikut. Në një tjetër varg, ai thekson ndryshimin personal: “Tash nuk kam arsye as me pas mo vese t’kqija” , duke lënë të kuptohet për një fazë të re, më të qetë dhe më të pjekur në jetën e tij. Një detaj që ka ngjallur shumë kureshtje është vargu: “At njeri që s’ta pret menja, Zot afër ma ka pru” , që për shumë ndjekës sugjeron praninë e një personi të ri në jetën e tij – ose të paktën një mbështetje të papritur në momentet më të errëta. Teksa publikoi këngën në rrjetet sociale, Bes Kallaku e shoqëroi me një mesazh të gjatë dhe emocional, ku theksoi: “Ky rrëfim është e vërteta ime. U shkrua në ditët ku, ndonëse fjalët peshonin rëndë, unë zgjodha të hesht; e ku heshtja ime më ktheu në fajtorin e asaj historie… Ky rrëfim është Besi 17-vjeçar, që preku majat falë duartrokitjeve dhe dashurisë suaj… Eshte për mua që ngrita njerëz mbi supe, e teksa ata preknin dritën, mua më zhysnin drejt errësirës. Ky rrëfim jam unë, që edhe kur preka fundin, nuk e humba kurrë Zotin. Ky rrëfim jeni të gjithë ju, që keni humbur rrugën dhe po kërkoni pakëz dritë. Ky rrëfim është nëna ime, e cila më në fund po buzëqesh, teksa koha i riktheu djalin e saj… Ky rrëfim është për të gjithë ne, që kryqëzohemi, baltosemi dhe gjykohemi pa mëshirë… por serish ngrihemi. Serish besojmë. Serish ndriçojmë” . View this post on Instagram A post shared by Bes Kallaku (@bes_kallaku) Me këtë projekt, Bes Kallaku duket se ka zgjedhur muzikën si mënyrën më të sinqertë për të folur, duke lënë që arti të bëjë atë që ai vetë zgjodhi të mos e bënte për një kohë të gjatë: të tregojë versionin e tij të historisë. /Telegrafi/