Bodo Glimti përkujdeset për befasinë e madhe, eliminon Interin nga Liga e Kampionëve

Bodo Glimti ka shkaktuar befasinë më të madhe këtë edicion të Ligës së Kampionëve, duke arritur ta eliminojë Interin në fazën e ‘play-off’-it me rezultat të përgjithshëm 5-2 pas dy ndeshjeve. Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe disa raste të mira shënimi, por pa konkretizim. Interi ishte më këmbëngulës në fazën sulmuese, duke iu afruar golit në minutën e 28-të, kur Davide Frattesi goditi me kokë brenda zonës pas një rivënieje nga këndi, por portieri reagoi në mënyrë vendimtare. Pak minuta më vonë, Piotr Zielinski provoi nga distanca me një goditje të saktë që kaloi shumë pranë shtyllës së djathtë. Në anën tjetër, Bodo Glimt u tregua i rrezikshëm me Hakon Evjen, i cili kërceu mbi mbrojtjen zikaltër, por u ndal nga një ndërhyrje e sigurt e Yann Sommer. Pjesa e dytë nisi me një tjetër energji nga miqtë, të cilët gjetën avantazhin në minutën e 58-të. Pas një goditjeje të fuqishme nga Ole Blomberg që u ndal nga Sommer, Jens Hauge reagoi më shpejt se të gjithë në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Interi u përpoq të reagojë menjëherë dhe pati një mundësi ideale në minutën e 69-të, por Manuel Akanji goditi shtyllën, duke shpërdoruar një rast të artë për barazim. Ndëshkimi erdhi vetëm tre minuta më pas. Hakon Evjen, i shërbyer me një pasim të saktë nga Hauge, realizoi me një goditje të bukur në këndin e poshtëm të majtë, duke dyfishuar epërsinë e skuadrës norvegjeze (2-0). Interi nuk u dorëzua dhe në minutën e 76-të ngushtoi shifrat me Alessandro Bastoni, i cili përfitoi nga një situatë e rrëmujshme në zonë për të realizuar për rezultatin 2-1. Sidoqoftë, kjo ishte e tëra çfarë ‘Nerazurrët’ arritën të bëjnë në këtë sfidë dhe kështu mysafirët siguruan kualifikimin tutje ku tani do të luajnë me njërën prej Manchester Cityt ose Sporting Lisbonës./ Telegrafi /