Një milion euro në veturë dhe të padeklaruara në kufi, ku i përfshirë ishte edhe një polic i Shqipërisë u zbulua të martën nga Dogana e Kosovës. Rasti u zbulua në pikëkalimin kufitar "Merdar", gjatë një kontrolli të detajuar të kryer nga zyrtarët doganorë. Sipas njoftimit zyrtar, automjeti ishte selektuar për kontroll në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative. Dogana bëri të ditur se automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. “Pas indikacioneve të para nga skaneri, është kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro. Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare. Një milion euro në automjet, tre persona ndalohen për 48 orë – dyshohen për “Shpëlarje parash” Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), tre persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Shpëlarja e parave”. Të dyshuarit, Ardit Laska, polic në radhët e Policisë së Shtetit në Shqipëri, Ahmet Kaziu dhe Etnik Ahmaxhokaj, janë ndaluar gjatë një kontrolli të kryer në pikëkalimin kufitar Merdar, në kuadër të një operacioni të përbashkët të Policisë dhe Doganës së Kosovës. Automjeti i dyshuar është ndaluar gjatë hyrjes në Kosovë, dhe brenda tij janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e konsiderueshme parash. Tre të arrestuar pas konfiskimit të një milion eurove në Merdar - automjeti hynte nga Serbia në Kosovë Edhe nga Prokuroria Speciale thonë se sipas vlerësimeve fillestare, shuma e dyshuar arrin në rreth një milion euro. Prokuroria po punon ngushtë me Policinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, duke respektuar procedurat në fuqi. Hetimet e mëtejshme pritet të zbulojnë origjinën e parave dhe rrjetin e mundshëm të përfshirjes në veprimtari kriminale. /Telegrafi/