Lionel Messi, ka deklaruar se në këtë fazë të karrierës së tij ndihet më i relaksuar dhe më i hapur, në kontrast me natyrën e tij më të rezervuar dhe mentalitetin e fokusuar vetëm te trofetë gjatë periudhës te Barcelona. Ylli argjentinas pranoi se me kalimin e viteve ka ndryshuar qasje, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. “Jam më i qetë tani dhe më i çliruar. Nuk kam qenë kurrë shumë llafazan, megjithëse kohët e fundit kam folur më shumë sesa gjatë gjithë karrierës sime”, ka thënë fillimisht Messi. Ai theksoi se më herët ishte aq i përqendruar te suksesi i radhës, saqë nuk arrinte t’i shijonte plotësisht arritjet. “Kam qenë me fat që kam fituar shumë gjëra, por nuk u kam dhënë vlerën e duhur, sepse gjithmonë mendoja për trofeun tjetër. Sot i shijoj ndryshe, e vlerësoj çdo ditë dhe atë që kam arritur”, tha legjenda argjentinase. Messi aktualisht po shijon një kapitull të ri në karrierën e tij në SHBA me Inter Miamin, duke reflektuar mbi sukseset e shumta dhe duke theksuar rëndësinë e balancës dhe vlerësimit të momentit. /Telegrafi/