Drejtori ekzekutiv i JPMorgan Chase dhe një nga bankierët më të respektuar në botë, Jamie Dimon, ka paralajmëruar se situata financiare në botë po i ngjan gjithnjë e më shumë asaj para krizës financiare të vitit 2008. Sipas Jamie Dimonit, gjendja aktuale në industrinë financiare nuk është inkurajuese. Bankieri vëren ngjashmëri me periudhën para krizës financiare të vitit 2008, kur kreditimi masiv përfundoi në katastrofë. “Fatkeqësisht, këtë e kemi parë në vitet 2005, 2006 dhe 2007 – pak a shumë të njëjtën gjë: një valë në rritje që ngre të gjitha anijet, të gjithë fitojnë shumë para”, tha Dimon gjatë një takimi me investitorët të hënën. - YouTube www.youtube.com Ai gjithashtu theksoi se shumë banka tani janë të gatshme të japin kredi më me rrezik për të rritur të ardhurat neto nga interesat. “Shoh njerëz që bëjnë gjëra të pamenduara. Bëjnë gjëra të pamenda për të krijuar të ardhura neto nga kreditë”, tha Dimon, i cili e drejtoi JPMorgan gjatë krizës më të rëndë financiare të viteve të fundit. Dimon nuk specifikoi për cilat institucione e kishte fjalën dhe i siguroi investitorët se banka e tij, më e madhja në vend, është mjaft e kujdesshme, duke theksuar se ata i përmbahen rregullave. Ai beson se cikli i kreditimit do të përkeqësohet sërish. Megjithatë, nuk saktësoi se kur mund të ndodhë kjo. Dimon gjithashtu pranoi se inteligjenca artificiale kohët e fundit është një shqetësim kryesor në tregje. Investitorët janë të shqetësuar për ndikimin e saj në situatën e tyre. Megjithatë, ai theksoi se mbetet i bindur në të ardhmen e bankës së tij. /Telegrafi/