Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë një konference për media ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), që po zhvillohet në Hagë. Ajo theksoi se sot përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, emra të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Spiropali: Kosova prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë “Sot në Hagë përballen me drejtësinë udhëheqësit e UÇK-së. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë proces gjyqësor, por kemi obligim moral të themi që drejtësia duhet të jetë drejtësi e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore, pa shkelje të të drejtave të njeriut, jo drejtësi e pjesshme”, u shpreh Spiropali, përcjell Telegrafi. Ministrja theksoi se Shqipëria nuk është në një garë se kush mbron më shumë të drejtat, por në një test koordinimi dhe harmonizimi sa i takon qëndrimit ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe luftës së UÇK-së. Sipas saj, qëndrimi kombëtar mbi legjitimitetin e asaj lufte dhe mbi të drejtën e popullit për të mbrojtur veten në përputhje me të drejtën ndërkombëtare mbetet i pandryshuar. “Këtë e kemi bërë dhe këtë do ta bëjmë. Urojmë që gjykatësit në Hagë t’i përgjigjen thirrjes së drejtësisë dhe jo thirrjes së prokurorëve, të cilët, sipas vlerësimit tonë në këtë fazë të procesit, nuk i kanë bërë drejtësi çështjes me pretendimet e tyre”, deklaroi ajo. Spiropali shtoi se Shqipëria beson te drejtësia deri në fund dhe do të ndërmarrë çdo masë të mundshme për të ngritur zërin në çdo institucion ndërkombëtar dhe forum, duke përmendur angazhimin e kryeministrit Edi Rama në organizata ndërkombëtarë si Bordi i Paqes, Këshilli i Evropës, etj. /Telegrafi/