Celje dhe Drita do të përballen në kuadër të ndeshjes së kthimit në Play-Off të Ligës së Konferencës. Sfida e kthimit do të zhvillohet të enjten mbrëma me fillim nga ora 18:45. Ndeshja e parë e zhvilluar në Prishtinë i takoi sllovenëve që fituan me rezultat 3-2. Mesfushori boshnjak i Celjes, Mario Kvesic ka folur në konferencë për shtyp, duke thënë se duhet harruar fitorja në Prishtinë dhe t'i qasen ndeshjes sikur të kishin barazuar. "Gjëja më e rëndësishme është të futemi në ndeshje sikur jemi 0-0, pra të harrojmë golin që e shënuam në ndeshjen e kaluar, natyrisht të mos ndryshojmë asgjë sa i përket filozofisë dhe qasjes tonë". "Ne do të fillojmë nga zeroja dhe jemi të bindur se, nëse luajmë ashtu siç jemi stërvitur, do ta kontrollojmë ndeshjen dhe nuk do t’i japim mundësi kundërshtarit", deklaroi Kvesic në konferencë për shtyp. /Telegrafi/