Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda bën të ditur se urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet S.B., R.M., H.N. dhe B.G., të cilët janë të angazhuar si punëtorë, instruktorë të poligonit ‘Dreni’ në Prizren. Më konkretisht, ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” sipas nenit 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”. Dyshohet se këto veprime janë kryer në vazhdimësi që ndërlidhen me rastin që është në hetim ndaj zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarve do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës. /Telegrafi/