Çmimi për GTA VI ndoshta do të shkojë mbi 80 dollarë?

Informacione të reja sugjerojnë se GTA 6 mund të ketë një çmim fillestar më të lartë se standardi për video-lojërat kryesore AAA të sotme. Video-loja më e pritur e dekadës, Grand Theft Auto VI, është sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë jo për shkak të pamjeve të rrjedhura të lojës, por për një çmim potencial që mund të vendosë një standart të ri në industrinë e video-lojërave. Sipas portaleve të huaja të “gaming”, në faqen e një shitësi të njohur Loaded.com është shfaqur një listim që sugjeron se versioni bazë i lojës do të kushtojë të paktën 80 dollarë. Edhe pse çmimet në faqet e tilla shpesh janë të përkohshme (placeholder), disa detaje të tjera bien në sy: Versioni për PC është listuar me çmimin 84.19 dollarë. Versioni për Xbox Series X|S ka shfaqur një çmim shumë më të lartë, mbi 120 dollarë, që ndoshta përfshin edhe bonuse digjitale. Çmimi në të njëjtën faqe është korrigjuar nga 89.99 dollarë më parë, që tregon se shitësit janë duke u përpjekur të parashikojnë çmimin final. Ndërsa industria pak më parë kishte kaluar nga 60 në 70 dollarë për video-lojëra AAA, studioja Rockstar Games mund të jetë e para që e çon çmimin një hap më tej. Analistët mendojnë se buxheti i madh i zhvillimit dhe niveli i detajeve që pritet japin besim kompanisë Take‑Two Interactive për të provuar “thellësinë e xhepit” të lojtarëve. Interesant është fakti se edhe kompanitë e tjera të mëdha, si Nintendo dhe Microsoft, kanë filluar të eksperimentojnë me çmime rreth 80 dollarë për titujt e tyre kryesorë. Sipas ekspertëve financiarë, GTA VI mund të arkëtojë deri në 2 miliardë dollarë që në ditën e parë të shitjes, dhe deri në afërsisht 7 miliardë dollarë brenda dy muajve – duke e bërë atë një nga produktet më të suksesshme të argëtimit në histori. /Telegrafi/