Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale "blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge", dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve". Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se: "Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur - Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 23.02.2026, në një ndërtese e cila gjendet në një rrugë të Ferizajt, gjatë kontrollit të banesës nga ana e oficerëve policorë në dhomën e gjumit të të miturit, në vende të ndryshme janë gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuan me peshë 86.7 gram, tri qese najloni me substanca të dyshuara të llojit kokainë me peshë 4.7 gram dhe një sasi tjetër e llojit hashash në formë çokollate me peshë prej 40.2 gram, para të gatshme në shumë prej 400 euro një peshore dhe një pako me letra për mbështjellje të marihuanës të cilat i kishte poseduar në mënyrë të paautorizuar dhe të cilat i ishin konfiskuar nga ana e policisë". Po ashtu siç thuhet në njoftim ekziston dyshimi i bazuar se më datë 23.02.2026, në vendin e njëjtë të përshkruar si më lartë, të miturit i ishte gjetur një revole me gaz me mbishkrim Kurtulus – Taurus, një karikatorë dhe 6 plumba dhe një thikë, të cilat i ka poseduar në mënyrë të paautorizuar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm (Ligji mbi armët Nr.03/L-143), të cilat i janë konfiskuar nga ana e policisë. "Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij", thuhet në njoftim. /Telegrafi/