Qoftë veshje sportive të djersitura apo bluza juaj e preferuar, asnjë pajisje nuk e thjeshton pastrimin e rrobave si lavatriçja. Megjithatë, edhe pse shumica e materialeve mund ta përballojnë një cikël larjeje, jo çdo gjë duhet futur në makinë. Në fakt, larja e disa sendeve mund të shkaktojë dëmtime — madje edhe të paraqesë rrezik për sigurinë. Ja gjërat që nuk duhet t’i vendosni kurrë në lavatriçe. Materialet shumë delikate Morgan LaLonde, menaxhere e markës së lavanderisë në Whirlpool, thotë se është më mirë të shmanget larja e rrobave dhe këpucëve të bëra nga materiale si kamosh (suede), lëkurë, gomë, vinil, mëndafsh, acetat, kadife, lesh dhe taftë, si edhe çdo veshje me rruaza ose temina zbukuruese, për të shmangur dëmtimin e materialeve të ndjeshme. Nëse nuk jeni të sigurt nga çfarë materiali është një veshje apo nëse duhet larë në makinë, kontrolloni etiketën. Ajo duhet të japë udhëzime të sakta për larjen. Materiale që përmbajnë substanca të ndezshme Përveç dëmtimit të rrobave, duhet të shmangni çdo gjë që mund të dëmtojë lavatriçen ose të rrezikojë sigurinë tuaj dhe të shtëpisë. Pete He, bashkëthemelues dhe shkencëtar kryesor në Dirty Labs, thotë se leckat që janë përdorur për të pastruar vaj motori, hollues boje ose substanca të ngjashme nuk duhet të futen në lavatriçe. “Shmangni këto situata sepse temperaturat e larta gjatë larjes dhe tharjes mund të ndezin këto mbetje të ndezshme, duke shkaktuar zjarr apo edhe shpërthim”, thotë ai. Pëlhurat batik Është më mirë që pëlhurat batik të mos lahen në lavatriçe. “Shumë prej tyre nuk janë rezistente ndaj zbardhjes së ngjyrës, që do të thotë se ngjyrat mund të dalin ose të transferohen te rrobat e tjera gjatë larjes, sidomos nëse nuk janë parapërpunuar ose fiksuar me një fiksues ngjyrash,” shpjegon He. Në vend të larjes në makinë, ai këshillon pastrim me njolla ose larje me dorë duke përdorur detergjent të butë për rroba delikate dhe ujë të ftohtë ose të vakët. “Sigurohuni të shmangni temperaturat e larta gjatë larjes dhe tharjes”. Qilimat Përveç nëse janë të posaçëm për larje në makinë, shumica e qilimave nuk duhet të futen në lavatriçe. LaLonde thotë se kujdesi për qilimat varet nga madhësia, materiali dhe udhëzimet në etiketë. “Pambuku dhe disa fibra sintetike zakonisht mund të lahen në makinë, por leshi, mëndafshi, juta dhe qilimat me push të gjatë zakonisht nuk janë të përshtatshëm për lavatriçe”. Shumë rroba njëherësh Keni një grumbull të madh rrobash? Është më mirë t’i ndani në dy larje sesa të mbushni tej mase lavatriçen. “Mos e mbingarkoni lavatriçen, pasi kjo mund të shkaktojë çekuilibër dhe të ushtrojë presion shtesë mbi pajisjen,” paralajmëron LaLonde. Shumë detergjent Nëse rrobat janë shumë të pista, mund të tundoheni të shtoni më shumë detergjent. Por sipas LaLonde, kjo është një ide e keqe. “Shumë konsumatorë nuk e dinë se përdorimi i tepërt i detergjentit mund të dëmtojë si lavatriçen ashtu edhe rrobat,” thotë ajo. “Kur përdoret shumë detergjent, krijohet shkumë e tepërt dhe cikli i larjes mund të zgjasë më shumë.”