Analisti politik Ylli Hoxha, ka deklaruar se me afrimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, pozita e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, po forcohet. Ai në Debat Plus tha se e kishte paralajmëruar mundësinë që familja Jashari të refuzojë një kandidaturë, duke theksuar se koha tashmë është shumë e kufizuar për të gjetur alternativa. Sipas Hoxhës, paaftësia e subjekteve politike për të prodhuar një emër të ri po e bën Osmanin kandidate më të fortë çdo ditë që kalon. Murat Jashari refuzon postin e presidentit: Familja Jashari i takon gjithë shqiptarëve Ai vlerësoi se as Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe as LDK nuk janë të interesuara të përballen politikisht me Osmanin, pasi dështimi për të zgjedhur një president të ri do ta çonte vendin në zgjedhje, ku sipas tij Osmani mund të jetë aktive në skenën politike. Hoxha theksoi se kryeministri Albin Kurti synon një president me profil më të ulët në politikën e jashtme, ndërsa opozita, sipas tij, heziton të mbështesë një figurë të tillë nga frika se mund të shndërrohet në aleat të Kurtit. “Kurti do një president që nuk e hijezon në politikën e jashtme në marrëdhënie ndërkombëtare. VV do president sa me profil më të ulët, me të cilin e gjen një marrëveshje me opozitën. Opozita nuk ka kurajo të pajtohet për nejç president të profilit të ulët sepse konsideron që shumë shpejt ai person mund të shndërrohet në aleat të Kurti. Ky konflikt ka me prodhu ngërçin”, ka deklaruar ai.