Zelensky flet në telefon me Trump, zbulon detaje të bisedës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë diskutuar çështjet që do të trajtohen nga përfaqësuesit e delegacionit gjatë një takimi dypalësh të enjten në Gjenevë, si dhe përgatitjet për raundin tjetër të negociatave trepalëshe. Kjo është bërë e ditur nga vetë presidenti ukrainas, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. "Sapo fola me presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Përfaqësuesit e Presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ishin gjithashtu pjesë e telefonatës. Ekipet tona po punojnë shumë tani dhe i falënderova për të gjitha përpjekjet dhe përfshirjen e tyre në negociata dhe në punën për t'i dhënë fund luftës. (...)”, ka thënë Zelensky. Ai ka shtuar se “ne diskutuam çështjet mbi të cilat përfaqësuesit tanë do të punojnë nesër në Gjenevë në një takim dypalësh, si dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm të ekipeve të plota negociuese në një format trepalësh në fillim të marsit". Telefonata vjen disa orë pasi Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Donald Trumpit të vizitojë Kievin, në një video-adresim në përvjetorin e katërt të pushtimit në shkallë të plotë nga Vladimir Putini, dhe ka thënë se Ukraina nuk do ta tradhtojë popullin e saj në asnjë negociatë me Rusinë. Zelensky tha se Putin nuk i kishte arritur qëllimet e tij fillestare të luftës ose nuk e kishte "thyer popullin ukrainas". "Ai nuk e ka fituar këtë luftë", tha ai. "Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur paqen. Dhe për të siguruar drejtësi". Një udhëtim në Ukrainë mund t'ia bëjë të qartë Trumpit "se kush është agresori këtu dhe ndaj kujt duhet të ushtrohet presion", sugjeroi Zelensky. Siç theksojnë mediat, Trump nuk e ka pranuar një ftesë nga Zelensky për të vizituar Ukrainën. / Telegrafi /