Ish-mbrojtësi i Manchester City dhe Bayern Munich, Martin Demichelis, është në bisedime për t’u emëruar trajneri i ri i Mallorca. Sipas gazetarit Matteo Moretto, 45-vjeçari argjentinas ka zhvilluar negociata me klubin spanjoll pas largimit të trajnerit Jaume Arrasate. Demichelis ka përvojë si trajner nga periudhat e tij te River Plate në Argjentinë dhe Monterrey në Meksikë. Mallorca aktualisht renditet në vendin e 18-të në La Liga me 24 pikë, brenda zonës së rënies nga kategoria. Drejtuesit e klubit shpresojnë që një ndryshim në stol të sjellë stabilitet dhe rezultate pozitive në javët vendimtare të sezonit, për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Një nga pikat më të forta të skuadrës këtë sezon ka qenë forma e shkëlqyer e Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar po kalon një sezon fantastik, duke realizuar 16 gola në kampionat dhe duke qenë arma kryesore ofensive e ekipit. Performancat e tij kanë mbajtur gjallë shpresat e Mallorcës për mbijetesë. Ardhja e mundshme e Demichelis vjen në një moment kritik të sezonit, ku çdo pikë ka peshë të madhe dhe ku skuadra ka nevojë për organizim, besim dhe vazhdimësi për të shmangur rënien nga kategoria. /Telegrafi/