Mos i lidhni kurrë këto pajisje të përditshme në zgjatues elektrikë, për të shmangur rrezikun e zjarrit

Me shumë pajisje dhe aparate elektrike në shtëpi dhe jo mjaftueshëm priza për t’i lidhur të gjitha, është e kuptueshme pse shumë familje përdorin zgjatues elektrikë. Edhe pse kjo duket si një zgjidhje e thjeshtë, një ekspert i energjisë paralajmëron se kjo lehtësi mund të rrisë në heshtje rrezikun e zjarreve elektrike. Justin Nielsen, ekspert energjie në Wolf River Electric, tha: “Zgjatuesit elektrikë janë të projektuar për të përballuar një rrymë maksimale të caktuar. Kur lidhni pajisje që konsumojnë shumë energji, rrezikoni të tejkaloni kufijtë për të cilët është projektuar kablloja. Nëse kablloja funksionon jashtë parametrave të sigurisë, mund të mbinxehet. Në raste më serioze, mbinxehja mund të çojë në shkrirje të izolimit ose edhe në zjarr në shtëpi. Vetëm sepse pajisja ndizet, nuk do të thotë se është e sigurt. Siguria elektrike lidhet me ngarkesën, jo vetëm me lidhjen”. Duke pasur këtë parasysh, familjet këshillohen të shmangin lidhjen e pajisjeve të mëposhtme në zgjatues elektrikë: Mikrovalët Sipas ekspertit, mikrovalët tërheqin një sasi të konsiderueshme rryme, edhe nëse përdoren vetëm për pak minuta. Ato kanë nevojë për fuqi të lartë në një kohë shumë të shkurtër për të ngrohur ushqimin në mënyrë efikase. Justin shpjegon se kjo rritje e menjëhershme e energjisë (pik energjie) mund ta mbingarkojë zgjatuesin, veçanërisht nëse në të janë lidhur edhe pajisje të tjera. Ai shtoi: “Pajisjet e kuzhinës shpesh vendosen pranë njëra-tjetrës, gjë që rrit tundimin për të përdorur një zgjatues me disa dalje. Por pajisjet me fuqi të lartë, si mikrovala, janë më të sigurta kur lidhen drejtpërdrejt në prizën e murit.” Frigoriferët me ngrirës Eksperti tha: “Problemi me frigoriferët me ngrirës nuk është vetëm konsumi i energjisë, por kohëzgjatja. Ata ndizen dhe fiken vazhdimisht, duke tërhequr rrymë gjatë gjithë ditës. Kjo ngarkesë e vazhdueshme mund ta ngrohë kabllon e zgjatuesit me kalimin e kohës.” Nëse kablloja është e mbledhur spirale ose e mbuluar, nxehtësia nuk shpërndahet siç duhet. Me kalimin e kohës, kjo mund të dëmtojë izolimin e saj. Lavatrice Justin theksoi se lavatricet janë ndër pajisjet që konsumojnë më shumë energji në një shtëpi mesatare. “Ato tërheqin shumë rrymë gjatë ciklit të ngrohjes. Kur makina ngroh ujin, kërkesa për energji rritet ndjeshëm. Pikërisht në këtë moment zgjatuesit janë më të rrezikuar.” Pajisjet moderne mund të arrijnë nga 2,000 deri në 2,500 vat në kulmin e funksionimit, dhe kjo duhet të mbështetet gjithmonë nga një prizë fikse muri. Çajnikët elektrikë Pak pajisje përdoren aq shpesh sa çajniku elektrik në shtëpitë britanike. Ai ngroh ujin shumë shpejt, që do të thotë se tërheq rrymë të lartë në një kohë të shkurtër. Lidhja e tij në një zgjatues rrit ndjeshëm rrezikun e mbinxehjes. Justin tha: “Njerëzit shpesh lidhin çajnikun dhe tosterin në të njëjtin zgjatues mbi banakun e kuzhinës. Ky kombinim mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm.” Ngrohësit elektrikë portativë Ngrohësit elektrikë portativë janë të dobishëm në netët e freskëta kur nuk dëshiron të ndezësh ngrohjen qendrore. Megjithatë, sipas Justin, ata janë “veçanërisht të rrezikshëm” kur përdoren me zgjatues. Ata konsumojnë fuqi të lartë për periudha të gjata dhe janë projektuar për t’u lidhur drejtpërdrejt në prizë muri. Justin përfundoi: “Nxehtësia dhe energjia elektrike janë tashmë një kombinim i rrezikshëm. Shtimi i një kablloje të mbingarkuar në këtë situatë është diçka që unë nuk do ta rekomandoja kurrë.”