Avdyli: Votën e kam vetëm për Osmanin, kandidatja më e mirë për momentin

Deputeti i Guxo-s, Haxhi Avdyli, ka deklaruar se në këtë fazë votën e tij do ta japë vetëm për Vjosa Osmani. Në Debat Plus, Avdyli u shpreh i bindur se Osmani është kandidatja më e mirë që Kosova ka aktualisht për presidente. “Votën e kam vetëm për Vjosa Osmanin në këtë fazë”, tha ai. I pyetur nëse nuk do ta ngrinte dorën për asnjë kandidat tjetër, Avdyli u përgjigj se për momentin nuk sheh alternativë më të mirë. “Unë po them që Vjosa Osmani është kandidatja më e mirë që e ka Kosova për momentin. Nëse ma ofron dikush një kandidat më të mirë se Vjosa Osmani, atëherë është diçka tjetër". "Por për momentin, duke e parë punën e saj të mirë, angazhimin e saj në të mirë të Kosovës dhe gjithë këtë përfaqësim në arenën ndërkombëtare, mendoj se është kandidatja e duhur”, deklaroi ai. Sipas Avdylit, Osmani ka mirëmbajtur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo që i ka ruajtur nga dikush.